TIRANE, 19 mars 2013- Drejtori i kompanisë “Korsel”, subjekt nënkontraktor i bashkisë për pastrimin e plehrave ku punonte Ardian Prrenjasi, tregon marrëdhënien 5- vjeçare në punë të personit të arrestuar për krimet ndaj të miturve. 
Sipas Eqerem Isufit, Ardian Prrenjasi ishte një ndër punonjësit më të rregullt, që nuk mungonte asnjë ditë në punë, madje gjithmonë paraqitej para orarit. Ditën e diel, kur u arrestua, 45-vjeçari ishte vonuar dhe punonjësit kishin filluar të dyshonin se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe, pasi nuk përgjigjej në telefon. Për këtë arsye kishin shkuar tri herë te shtëpia e tij e më pas kanë denoncuar në polici. 

“Jemi të shokuar se si me korrektësinë e tij në punë paska fshehur këto krime”, u shpreh dje në një intervistë për gazetën “Panorama” drejtori i kompanisë ku ishte i punësuar për 5 vjet Ardian Prrenjasi. 
Sipas tij, Prrenjasi ka thuajse 5 vjet që punon në atë firmë dhe mblidhte plehrat në zonën që mbulon firma, zbrazte kazanët e plehrave në makinë dhe më pas i transportonte në Sharrë, te vendi i grumbullimit të plehrave. 

Në cilat zona punonte zakonisht dhe çfarë orari kishte? 
Ai ishte gjithmonë turn i parë. E fillonte punën në orën 10:00 të mëngjesit dhe e mbyllte nga orën 16:00 ose edhe 17:00, varet sa i zgjaste mbledhja e plehrave. Si zonë, jo vetëm ai, po të gjithë punonjësit e kompanisë kishim territorin që mbulon Komisariati Nr. 3. Pra Rrugën e Durrësit, Laprakën, “Don Boskon”, Paskuqanin, deri tek Nish- Tulla 3 dhe Institutin. 

Si sillej në punë Ardian Prrenjasi?

Ishte një ndër punonjësit më korrektë dhe më të sjellshëm. Nuk kishim dyshuar kurrë për asgjë. Për të gjithë mund të ndodhte që të mos vinin ndonjë ditë në punë, ndërsa ai kurrë. Nuk ndodhte asnjëherë që ai të mungonte, edhe pse ne punonin pa pushim, edhe të shtunë e të diel. Orari ishte në orën 10:00 dhe ai vinte përherë para orarit, 2 orë ose 1 orë e gjysmë para. Pinte kafe me kolegët dhe pastaj vazhdonte punën. 

Si ju lindën dyshimet ditën e diel?

Në fakt për këtë që mësuam nuk kishim dyshime, as që na shkonte mendja. Dyshuam se mos atij i kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe. Siç ju thashë, ai ishte shumë korrekt dhe vinte në punë që në orën 08:00. Shkova dje (të dielën) në punë, në orën 09:30 dhe përgjegjësi i ofiçinës më thotë që Ardiani nuk ka ardhur në punë. E pyeta nëse kishin folur me të dhe ai më tha që e kishte telefonin të fikur. Mora një nga shoferët, që ishte kolegu i tij, dhe më tha që kishte folur me të në telefon rreth orës 08:00-08:15. Ardiani i kishte thënë që do vinte te puna që të pinin kafe, siç bënte zakonisht. Pastaj thirra një koleg tjetër që i dinte shtëpinë dhe më tha që rreth orës 09:00 kishte qenë te shtëpia e Ardianit, sepse aty afër është edhe ofiçina, dhe më tha që kishte i kishte rënë derës dhe nuk i ishte përgjigjur njeri. 

Nuk arritët të kishit asnjë komunikim me të?

Jo, asgjë. Kanë shkuar edhe dy herë të tjera punonjësit dhe nuk i është përgjigjur njeri. Për herë të tretë i thashë vetë përgjegjësit që të shkonte bashkë me një kolegun e Ardianit, me të cilin kishte më shumë afrimitet. Ai më merr në telefon dhe më thotë se nuk kishin nga hynin, vetëm po të kapërcenin avllinë. Dhe unë u thashë që të kapërcenin. Po edhe pasi u futën në oborr, nuk i përgjigjej njeri. Më thanë që ishte vetëm një dritare e hapur, e banjës, dhe i thashë që të futej ai punëtori nga dritarja. Ai ishte futur, por dera që lidhej me pjesën tjetër të shtëpisë ishte e mbyllur. Aty kishte parë një ushkur, të lidhur dhe të varur sipër derës. Ai më kërkoi që të shkallmonte derën, por e ndalova, pasi kjo ishte punë për policinë, prandaj u thashë që të shkonin të bënin denoncim në Komisariatin Nr. 3.