Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda zhvilloi një takim me përfaqësues të DEA-s amerikane me qendër në Athinë.
Atasheu i DEA-s John Livanis, i cili u shoqërua në këtë takim nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy, uroi Ilir Prodën për detyrën e re, si dhe çmoi bashkëpunimin e deritanishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu, Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë Shqiptare në luftën kundër fenomeneve kriminale.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s në operacionet policore ndërkombëtare që kanë patur objektiv shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Proda garantoi atashetë se te Policia e Shtetit do të gjejnë angazhim, profesionalizëm dhe besueshmëri për çdo iniciativë që do të ndërmerret në të ardhmen kundër krimit të organizuar.