DURRËS, 19 korrik 2013 – Drejtori i portit Ndreu po përgatitet të bëhet “gjerman”, por nuk ka ndërmend të braktisë PD-në.

“Unë jam në profesion inxhinier mekanik dhe padyshim që do të impenjohem në sektorët privatë”, ka deklaruar drejtori i Autoritetit portal të Durrësit (APD sha) Eduard Ndreu, duke përforcuar zërat se ndoshta futet në stafin gjerman të terminalit lindor.

Qarkullojnë zëra se fill pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 Ndreu ka qëndruar për njëfarë kohe në Gjermani.

Spekulohet se drejtori i APD-së, një nga njerëzit më të fuqishëm të PD-së vendore dhe të administratës shtetërore në Durrës, ka bërë tratativa që të mundë të përfshihet në administratën e koncensionarit gjerman të terminalit lindor në port, pas dorëzimit të detyrës në shtator.

Nga ana tjetër, Ndreu ka hedhur poshtë publikisht çdo angazhim politik me LSI-në, pavarësisht miqësisë me krerë të lartë të saj.

Kjo dhe për faktin se çfarë marrëdhëniesh ka pasur me atë krah të LSI-së që me gjasë do të kontrollojë Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.  

Më 10 korrik 2013, drejtori i Autoritetit Portual Durrës (APD) Eduard Ndreu, organizoi një intervistë për të përditshmen “KJ”, e afërt me mazhorancën në ikje, ku ai është betuar publikisht për besnikëri ndaj PD-së.

Në përgjigje të pyetjes “pas tetë vjetësh në postin e drejtorit të APD-së, cila mendoni se do të jetë e ardhmja juaj profesionale dhe politike?” Ndreu deklaron:

“Unë kam ardhur në këtë post në vitin 2005, si drejtues i propozuar nga Partia Demokratike për të zbatuar politikat e zhvillimit të premtuara prej saj. Sot mbas tetë vitesh, besoj se kam qenë në koherencë të plotë me këto politika zhvillimi. Tashmë ne i kemi humbur zgjedhjet dhe në muajin shtator do të fillojë mandatin qeveria e Partisë Socialiste, me politika të ndryshme nga tonat, të cilat duhet dhe do të përçohen nga drejtues të rinj. Unë jam në profesion inxhinier mekanik dhe padyshim që do të impenjohem në sektorët privatë. Për sa i përket të ardhmes politike, atë tashmë e kam përcaktuar që më parë. Do të jem gjithmonë pjesë aktive në Partinë Demokratike dhe së bashku me kolegët dhe miqtë e mi do të jem edhe pjesë aktive e opozitës. Historia e familjare dhe vetë qenia ime nuk me lejojnë të mendoj ndryshe”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/