Radhët e gjata e vonesat që janë shkaktuar në portin e Durrësit në nisjen e kamionëve me mallra e të anijeve kanë pasoja të rënda në të ardhurat e këtij porti. Jo vetëm që biznesi ka shfaqur në mënyrë të hapur pakënaqësinë në portin më të madh të vendit, por këto subjekte po braktisin Durrësin duke gjetur rrugë të reja për transportin e mallrave të tyre.

Shkak janë kontrollet që bëhen në skanerin e portit të Durrësit, për çdo mjet që del nga ky port me urdhër të policisë e të doganës.

Në një prononcim për mediat, drejtori i portit të Durrësit Artjan Qirici deklaroi se kontrollet e bëra në skaner të të gjithë mjeteve, edhe të atyre që nuk kanë risk, ka sjellë situatë të rëndë për ekonominë e portit. Porti i Durrësit jo vetëm që ka humbur konkurrencën me portin e Selanikut, por edhe me të Barit, e në Mal të Zi.

Kreu i portit të Durrësit tha se është vënë në dijeni edhe ministri i linjës Damian Gjiknuri, nga i cili kërkohet një zgjidhje e shpejtë, në të kundërt subjektet e biznesit do ta braktisin përfundimisht këtë port.

Për çdo natë në portin më të madh të vendit radha e kamionëve për të hyrë në terminal është disa kilometra. Kamionët e ngarkuar me mallra presin me ditë për t’u nisur nga porti, për shkak të kontrolleve, e çdo vonesë përkthehet kosto për biznesin që operon nga ky port.  

K.H.