Enid Furxhi është prezantuar dy ditë më parë në krye të Akademisë së skuadrës së Teutës, nga administratori Erjon Jakova. Ai ka eksperiencë në punën me skuadrat e moshave, pasi ka punuar në të kaluarën me ekipet e Shkëndijës së Durrësit. Pritet që ekipet e moshave të Teutës në të ardhmen të prodhojnë futbollistë për skuadrën e parë.Drejtori Furxhi ka shpalosur projektin e tij për akademinë. “Jam zgjedhur në krye të Akademisë së Teutës dhe ndihem i vlerësuar. Por gjithashtu ndiej përgjegjësinë e kësaj detyre. Akademia e Teutës është ndër më të mirëorganizuarat në Shqipëri. Kushtet janë shumë të favorshme edhe pse drejtuesit po investojnë akoma më shumë, si në infrastrukturë, ashtu dhe në bazë materiale.Do të ngremë një Akademi duke u bazuar tek modelet evropiane. Sa i takon ndryshimeve të mundshme, mund të them se ato janë gjithmonë për të mirën e ekipit, për momentin nuk do të ketë, edhe për faktin se kam vetëm një ditë në krye të Akademisë. Do të marr kohë që të jem totalisht në brendësi të punës. Gjatë kësaj periudhe kam ndjekur djemtë si në ndeshjet, ashtu edhe në stërvitjet e zhvilluara”, ka mbyllur Furxhi.

Ndërkohë në tokën italiane, ku skuadra e parë po zhvillon përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Maganit, tre lojtarët e Akademisë, Lajthia, Vila dhe Lika, janë duke bërë paraqitje të mirë dhe kanë fituar besimin e stafit teknik. Madje në ndeshjen e fundit miqësore, Lajthia ka qenë protagonist në shënimin e golit të Teutës, duke lëvizur bukur në zonën kundërshtare dhe gjuajtur në drejtim të saj. Por, para se të shkonte në rrjet, topi është devijuar nga Dediç.