11 kandidatët që mbetën në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit po kalojnë sot në intervistë nga Komisioni i Posaçëm.
Intervistat do të bëhen në bazë të rendit alfabetik. I pari do të fillojë Adriatik Tafçiu dhe i fundit për intervistë do të jetë Skënder Hitaj i cili mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë në Durrës. Komisioni i Posaçëm i përbërë nga sekretarja e Ministrisë së Brendshme Suzana Hoxha, zëvendësministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, do të dëgjojë platformën e 11 kandidatëve.
Më pas komisioni do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe lista përfundimtarë do t’i dërgohet Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Ky i fundit do të dërgojë një emër për miratim nga Këshilli i Ministrave. Hoxha ka bërë me dije se deri në fund të javës do të ketë një emër konkret për Drejtor të Përgjithshëm.