Një ngjarje skandaloze ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Teatrin Kombëtar. Gazetari i Abc News Eni Shehu është sulmuar fizikisht nga drejtori i këtij institucioni Hervin Çuli. Të ftuar si gjithë mediat e tjera në premierën e shfaqjes “Tri Motrat”, dedikuar gazetarëve, grupi i Abc News ishte i pranishëm për të filmuar për kronikën.

Në pushimin e shkurtër mes akteve të shfaqjes, gazetari i Abc News Eni Shehu, teksa ishte i shoqëruar nga kolegë të shumtë në hollin e Teatrit Kombëtar, është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga drejtori Hervin Çuli së bashku me asistentët e tij, pa asnjë motiv. Më pas ata arritën ta nxjerrin gazetarin Shehu, jashtë godinës së Teatrit Kombëtar. 

(Hervin Çuli)

Abc News e dënon këtë sulm të rëndë dhe të paprecedentë ndaj gazetarit, që cenon lirinë e ushtrimit të këtij profesioni. Pas këtij akti të turpshëm, Abc News i kërkon kryeministrit Rama dhe ministres së Kulturës Kumbaro shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli. Po ashtu, Abc News bën të ditur se do të vërë në dijeni të kësaj ngjarje të gjitha organizatat që mbrojnë të drejtat e medias dhe gazetarëve në Shqipëri dhe ato Ndërkombëtare. Këtë sulm të drejtorit të Teatrit Kombëtar ndaj gazetarit Eni Shehu, televizioni Abc News do ta ndjekë deri në fund për të vendosur drejtësinë. /ABC News