Drejtori i Teutës, Artan Shyti ka thënë se të gjitha ekipet pas gjithë kësaj pauze do të nisin gjithçka nga zero.Në një prononcim të dhënë së fundmi, Shyti është shprehur se fondi i dhënë nga UEFA duhet të shkojë për të ndihmuar të gjitha klubet, në këtë situatë të vështirë që po kalojnë.

“Lojtarët kanë marrë një program stërvitor, i cili kontrollohet nga klubi. Kur ka qenë e mundur, janë munduar të stërviten jashtë, sigurisht duke mbajtur distancën. Leja për stërvitjen duhet të jepet më shpejt, pastaj të shohim.

Mendoj që me këtë ndërprerje, të gjithë do e nisin nga 0. Para ndërprerjes, Tirana dhe disa ekipe të tjera ishin në formë, por të shohim si do jenë pas kësaj situate. Mendoj se duhet të fillojmë, që të japim një mesazh.

Kupa e Shqipërisë? Në Kupë jemi pretendentë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Do jetë e vështirë, duke i parë të gjithë.

Tifozët? Unë nuk besoj se ka ndonjë ndryshim mes tifozerive, te Teutës dhe të ekipeve të tjera. Tifozët shqiptarë kanë një problem që duan gjithmonë fitoret, në të kundërt nuk shkojnë në stadium, ndryshe nga ndeshjet në botë. Kur ekipi ka qenë mirë, tifozët janë aty, por nuk mund të jemi gjithmonë mirë. Të gjithë janë të interesuar që kampionati të vazhdohet dhe të ketë një reflektim. Është e rëndësishme që të ndryshohet formula. Nuk ka një zë të përbashkët. Në këto kushte Asambleja duhet ët diskutojë edhe për këto gjera.

Fondi i dhënë nga UEFA? Një pjesë e këtij fondi duhet të përdoret për emergjencën, në mënyrë që të ndihmohen klubet për situatën. Është një ndihmë në kohën e duhur. Duhen testime çdo javë, pasi janë shumë ekipe që do luajnë. Është një ndihmë që duhet të jepet për klubet, për të përballuar situatën, me masa mbrojtëse, dezinfektues.

Besoj se do ketë konsultime me të gjitha klubet, për të folur për këtë. Të gjithë janë të shqetësuar dhe duan një zgjidhje. Vazhdimi i kampionatit ka mbështetjen e të gjithë klubeve dhe duhet të bëhet më e mirë”, u shpreh Shyti.