Drejtori Sportiv i Juventusit, Fabio Paratici ka harruar shënimet e tij në një restorant të Milanos, ku kishte qenë për të darkuar, ndërsa letra e tij është publikuar menjëherë duke dekonspiruar planet e merkatos së bardhezinjve.

Sipas shënimeve, të cilat pretendohet të jenë të Paraticit, dallohen qartë disa nga emrat ku do të jetë e fokusuar merkatoja e bardhezinjve, përkrah të cilëve është shënuar edhe shuma që mendohet të shpenzohet për ata futbollistë.

Në listë bëjnë pjesë emra si ai i Zaniolos, mesfushorit të ri që po shkëlqen te Roma, për të cilin bardhezinjtë janë gati të paguajnë plot 40 milionë euro, por edhe Federico Chiesa, për të cilin Paratico po përgatit një ofertë prej 50 milionë eurosh.

Nuk mungojnë në listë as emri i mbrojtësit argjentinas të Genoas, Romero, për të cilin Juve ka gati 20 milionë euro, ndërsa të njëjtën shifër bardhezinjtë do ta ofrojnë edhe për talentin e Brescias Sandro Tonali.

Gjithashtu në listën e shënimeve të Paraticit është edhe emri i serbit të Lazios, Sergei Milinkoviç-Saviç, që mendohet të zëvendësojë Miralem Pjaniçin në mesfushë, por edhe i disa futbollistëve të rinj, me perspektivë.

Ende nuk dihet me siguri nëse lista e shënimeve është vërtetë e Fabio Paraticit, por derisa të vërtetohet kjo, mediat do të kenë material të mjaftueshëm për të thurur intriga merkatoje, veçanërisht për verën e ardhshme, që pritet të jetë vërtetë e nxehtë.