Gjatë ditës së sotme deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, denoncoi mbylljen e laboratorit të analizave në spitalin rajonal të qytetit.

Ndërkohë, burime nga drejtoria e këtij spitali konfirmojnë se lajmi nuk është aspak i vërtetë dhe se laboratori vazhdon punën normalisht me një gamë të shtuar shërbimesh.

“Shërbimi i laboratorit në Spitalin Rajonal të Durresit, i cili operon në kushte optimale jo vetëm ka garantuar rritjen e gamës së analizave të cilat nuk bëheshin më parë, por ato vazhdojnë të kryehen normalisht në këtë Spital sipas referimit nga mjekët specialistë dhe diagnozave të përcaktuara.” pohon drejtoria e spitalit për “DurrësLajm“.

Në mesin e muajit qershor, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimin në laboratorin e analizave e krahasoi këtë të fundit me spitalet universitare të Tiranës, duke theksuar se në të ofrohet një shërbim me standarte të larta.

“Në Spitalin Rajonal Durrës për një tjetër investim të rëndësishëm që ka ndryshuar cilësisht shërbimin në këtë spital shërbimi i ri i laboratorit, i cili ka garantuar rritjen e gamës së analizave falas, me standard të njëjtë, si në spitalet universitare të Tiranës”, shkruan Manastirliu në “Facebook”.