Futbolli amator ofron histori fantastike, si ajo që vjen nga Italia, ku në një ndeshje fshatrash mes Montemilone Pollenza e Fiuminata, fituar 2-0 nga vendasit, ndodhi diçka që futbolli profesionist e ka zili, sepse nuk e bën dot.
Futbollistët miq protestuan ashpër gjatë ndeshjes, pasi pretendonin se ishin dëmtuar nga arbitrimi, por pjesa më absurde ndodhi jashtë fushe.
Një drejtues i Fiuminatas, Daniele Agrioli, u largua nga stoli me karton të kuq, për protesta, ndaj vendosi të hakmerrej, duke u futur në dhomën e zhveshjes së arbitrave dhe duke i hedhur rrobat e arbitrit në tualet, ndërsa disa i futi në dush, duke i lagur.
Arbitri zbuloi surprizën e hidhur pas ndeshjes dhe klubi vendas i dha një palë tuta dhe një fanellë sportive, për ta ndihmuar të kthehej në shtëpi.
Natyrisht, pas hetimit të detajuar, u zbulua gjithçka dhe drejtuesi i çmendur është pezulluar për 9 muaj. Interesante është se Montemilone Pollenza mori 200 euro gjobë, për masa të dobëta sigurie.





