Nga Alqi Kadenasi 

DURRËS20 nëntor 2013 – Po kalojnë javë dhe ende sistemi arsimor rajonal vijon të mbetet i paralizuar. I paralizuar si pasojë e mungesës së drejtuesve të DAR-it (Drejtorai Arsimore Rajonale) në qarqe, respektivisht ZA (Zyra Arsimore), në rrethe.Personalisht, si ish-drejtor i arsimit në qarkun e Durrësit në vitet 2002-2005, kam shkruar shumë dhe mund të shkruaja edhe më shumë për nivelin aktual të shërbimit arsimor, por gjykoj se çështja sunduese dhe alarmante sot për arsimin, është mosemërimi edhe sot, pas disa javësh, i drejtuesve të rinj të arsimit në rrethe e qarqe.Për këdo që e njeh sadopak arsimin dhe dinamikën e zhvillimit të tij, problematikën me të cilën haset ai çdo ditë jo vetëm në Durrës por kudo në vend, gjendja, “rutina” e punës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për emërimin e drejtuesve lokalë arsimorë, është tërësisht e papranueshme.

A ka pasoja një situatë e tillë? Cilat kanë qenë ato?

Së pari dhe mbi të gjitha, në stafet drejtuese të shkollave, po manifestohet qartazi një qëndrim pritshmërie, apatie dhe mosangazhimi nga drejtuesit aktualë që të cilët “janë edhe nuk janë në detyrë”. Shembulli më i qartë i kësaj situate ishte pjesëmarrja “vullnetare” e nxënësve në protestat ndaj armëve kimike. Ligji për arsimin parauniversitar, dispozitat normative, qartazi dhe prerë nuk e lejojnë pjesëmarrjen e nxënësve në veprimtari të tilla gjatë orëve mësimore. Pse nuk u shfaq angazhimi i drejtuesve lokalë të shkollave të mesme (diku edhe 9-vjeçare) për të orientuar angazhimin e nxënësve në protesta, por vetëm pas orëve të mësimit, kur vetë protestat vijonin edhe pasdite? Situata u la të rridhte e (pa)orientuar.

Drejtuesit e shkollave edhe në Durrës, për fat të keq edhe nga vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit, gjejnë alibinë e paaftësisë së tyre në atë se nxënësit dolën vetë në protesta dhe nuk i nxori politika në rrugë. Po ju zotërinj që drejtoni arsimin, çfarë bëtë? Probleme të karakterit shoqëror, mjedisor etj., do të ketë me siguri shoqëria jonë edhe në ditët apo muajt që do të vinë. Kjo është më se normale. Por, a do ishte normale, që nxënësit të protestonin për këto probleme duke braktisur shkollën? Paaftësia në menaxhimin tërësor të sistemit arsimor, nuk ka dhe nuk duhet të na shitet si shprehje e lirive të rritura për nxënësit apo mosndikim të politikës në shkolla.

Së dyti, mos emërimi i drejtuesve qendrorë të arsimit në qarqe, zvarritja e pajustifikuar e procesit të përzgjedhjes së tyre ka ngurtësuar tërësisht veprimtarinë funksionale të DAR-it. Shumë specialist të DAR në Durrës, kanë që nga fillimi muajit gusht, që thjeshtë vegjetojnë në zyra. Preokupimi kryesor i tyre ka qënë dhe vijon të jetë sistemimi vetjak në punë në një shkollë të preferuar të qytetit.

Kontrolli blic i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në DAR, i realizuar muajin e shkuar, nxori shumë të meta dhe paligjshmëri. Këto probleme do të duheshin trajtuar, madje me urgjencë. Nuk ka pse t’u lihet kohë zotërinjve të DAR-it që të “rregullojnë letrat”. Ata do të duhen të përgjigjen për zullumet e tyre. Por kjo nuk bëhet me këtë frymë zvarritjeje që po manifestohet nga Ministria e arsimit dhe Sportit. Me të drejtë, dashamirësit e arsimit kanë zënë të thonë se u desh vetëm një javë të emërohej qeveria dhe po duhen tre muaj të emërohet drejtori i arsimit.

Koha nuk pret. Çdo zvarritje e mëtejshme e rëndon gjendjen aktuale të arsimit dhe mjegullon procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj. Drejtorinë e arsimit do të duhej ta “pëlqente” ministria përkatëse e arsimit, pasi ajo do të punonte më të. Është e pamundur që të mendonim se, atë do të duhej  ta pëlqenin të gjithë apo edhe më keq dikush.

Sot për sot, gjithçka në arsim është provizore…

Por, a mund të konceptohet drejtimi i DAR-it me të komanduar provizorë apo si thotë populli me “bedelë”. Arsimi po humbet kohë, po humbet shumë, zotërinj të ministrisë së arsimit.