Tiranë, 6 mars 2014– Shoferët e furgonëve 8+1 kanë zhvilluar sot një tjetër protestë përpara Parlamentit. Ndryshe nga protesta e parë këtë herë, shoferët e furgonëve mbajnë të duar karafila të bardha për të treguar se po protestojnë në mënyrë paqësore.
Kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe nga kreu i Kuvendit Ilir Meta të plotësojnë një nga kërkesat e protestuesve, ndryshimin e ligjit të vitit 98 për taksitë.
“Sot jemi në një protestë paqësore para Parlamentit, deputetët që kemi votuar janë trembur, mbyllën seancën. Edhe pse nuk ka seancë, deputetët duhet të ishin të pranishëm në Parlament për t’u takuar me protestuesit. Ne kërkojmë që qeveria të heqë dorë nga vendimi për furgonat 8+1, kërkojmë dialog për të gjetur një zgjidhje” – tha Kalaja.
Të prekur nga vendimi që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë për furgonat 8+1 janë rreth 20.000 persona, drejtues të këtyre mjeteve. Për disa ditë me radhë furgonat 8+1 kanë protestuar në qytetet më të mëdha të vendit, madje duke bllokuar edhe rrugët nacionale.
Kjo është protesta e dytë që bëhet nga drejtuesit e këtyre automjeteve në kryeqytet, protestë e cila përkon edhe me vizitën e komisionerit për zgjerimin në BE Stefan Fyle në Tiranë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





