Karim Benzema nuk është më një ëndërr për përforcimin e sulmit kuqezi, por një realitet i prekshëm që nga merkato e verës së ardhshme. Ndoshta, kjo nuk përkon ekzaktësisht me realitetin, por është një nga lajmet më të bujshme të së përditshmes spanjolle “As”.
Sipas gazetës iberike, mbrëmjen e së martës në “Santiago Bernabeu” ka qenë i pranishëm një delegacion kuqezi që ka pasur si detyrë monitorimin e bomberit francez. Prania e emisarëve të “Djallit” në Madrid ishte diçka e njohur, por ajo i atribuohej interesit të Milanit, për Mateo Kovaçin.
Për kroatin, prej kohësh në radarët e drejtuesve të “Casa Milan” përshtypjet nuk ishin ndër më të mirat. Fantastike ndërkohë shënimet për Karim Benzema. Sulmuesi konfirmoi edhe një herë nuhatjen e tij, duke shënuar dy herë, një herë me kokë dhe një tjetër, duke treguar vëmendjen e tij ndaj situatave në dukje të qeta.
Duke u rikthyer te planet “djallëzore” të merkatos, Kaliniç ka treguar që është gjithçka përveç se një sulmues race, duke mos justifikuar për asnjë çast 20 milionë eurot e shpenzuara një vit më parë për ta blerë nga Fiorentina. Edhe shanseve të Andre Silvës duket sikur u ka ardhur fundi, ndaj askush nuk do të skandalizohej në rast lamtumire të portugezit në fund të sezonit aktual. Xhenaro Gatuzo ka nevojë për një sulmues që garanton mbi 20 gola sezonale dhe që të marrë pjesë në manovrën e skuadrës.
I vetmi që ka merituar konfirmim është i riu Kutrone, i cili ka shpirt të lartë sakrifice, por me siguri kjo nuk mjaftojnë për t’i besuar çelësat e sulmit. Jo më kot vëmendja e drejtuesve është përqendruar te një sulmues si Benzema, i cili përbën profilin ideal. Francezi ka përvojë në nivele të larta, e njeh më së miri zanatin dhe në terma loje skuadre është sigurisht një variant tepër joshës. Së bashku me të mund të zbarkojë në “Milanello” edhe Dani Sebajos, mesfushori premtues që në vitin e tij të parë në Madrid nuk është se ka pasur shumë hapësira për të treguar vlerat e tij.





