Ndërhyrjet e vazhdueshme në akset rrugore vetëm pak javë apo muaj, pasi rruga është rikonstruktuar janë një fenomen tipik shqiptar.
I tillë është rasti i rrugës “Hysen Kërtusha”, që lidh aksin “Aleksandër Goga” me zonën e stadiumit “Niko Dovana”.
Për drejtuesit e mjeteve që e përshkojnë çdo ditë këtë aks, një gropë e krijuar në shtresat asfaltike të rrugës është kthyer në makth.
Është thuajse e pamundur ta shmangësh atë gjatë ditës, ndërkohë që gjatë natës situata komplikohet edhe më shumë.
Një grumbull me zhavorr ndodhet rreth e përqark gropës, si për të treguar se aty janë kryer punime së fundmi.
“DurrësLajm” mëson se ndërhyrjet në rrugë janë kryer nga kompania që ka realizuar punimet për shtrimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të qytetit bregdetar.
Burime nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (SHRUKD) bëjnë të ditur se është firma kontraktuese, ajo që duhet të rikthejë aksin rrugor “Hysen Kërtusha” në gjendjen e mëparshme.
Deri atëherë drejtuesit e mjeteve në Durrës duhet të tregohen të kujdesshëm të shmangin gropën!