LEZHE – Drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, me rastin e festës së fundvitit kanë vizituar familjet e 4 të vrarëve nga dhuna shtetërore në 21 janar 2011. Kreu i PS-së, Edi Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda kanë vizituar familjen e Aleks Nikës në komunën Kolsh të Lezhës, ku janë pritur nga prindërit, bashkëshortja dhe vajzat e Aleksit, si dhe të tjerë familjarë.
Gjatë vizitës kryesocialisti Rama ka theksuar se procesi i 21 janarit është një turp i madh dhe se zbardhja e kësaj ngjarjeje do të marrë udhë me ndryshimin e pushtetit në 2013. “Është drejtësi e shitur e gjitha. Ai proces është katastrofë, është një turp i madh. Vetëm ndërrimi i pushtetit e lehtëson zbardhjen e së vërtetës dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë”,- i ka thënë Rama babait të Aleks Nikës.
Tek familja e Hekuran Dedës në Kamzë kanë shkuar deputetët socialistë Artan Gaci, Xhemal Qefalia, si dhe i deleguari i asamblesë për Kamzën, Rakip Suli. Drejtuesit socialistë janë përballur në këtë familje me një varfëri të tejskajshme, teksa babai i Hekuranit dergjej në shtrat i sëmurë, ndërsa nëna rriste me vështirësi fëmijët e tij.
Në familjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, kanë qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi i shoqëruar nga deputetët, Albert Çaçi, Arjon Muçaj, Ervin Koçi, Pirro Lutaj dhe përfaqësues të tjerë socialistë të zonës. Familja e Faik Myrtajt është strehuar në një nga apartamentet sociale të Bashkisë së Fierit. Bashkëshortja e Faikut, ashtu si edhe familjarët e tjerë të viktimave të dhunës shtetërore të 21 janarit, ka vetem një kërkesë: “E dua drejtësinë të zbardhur komplet. Jam vrarë dy herë, ndaj nuk mund ta harroj këtë krim”.
Partia Socialiste e Shqipërisë, nëpërmjet kreut të saj, Edi Rama, prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj parimor dhe të palëkundur për të mos e harruar kurrë 21 janarin deri kur të bëhet drejtësia që do të qetësojë shpirtrat e atyre 4 burrave të pafajshëm dhe të lehtësojë plagët e tmerrshme të atyre katër familjeve të këputura shqiptare.