Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, ka deklaruar se sulmet nga SHBA mbi objektet bërthamore të Iranit kanë shtuar edhe një burim tjetër pasigurie ekonomike, duke kërcënuar perspektivat e ekonomive të mëdha, përfshirë vetë Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Bloomberg TV, Georgieva tha se këto sulme “e thellojnë edhe më shumë një mjedis tashmë shumë të pasigurt”.
Ajo theksoi se FMN-ja po ndjek me shqetësim ndikimin e mundshëm që mund të kenë zhvillimet në Lindjen e Mesme mbi çmimet e naftës dhe gazit natyror, si dhe çdo ndërprerje të furnizimeve globale me energji nga rajoni i pasur me naftë.
“Përveç këtyre dy rreziqeve kryesore, mund të ketë edhe ndikime dytësore dhe tretësore,” tha Georgieva. “Le të themi se rritet turbullira dhe ajo ndikon në ngadalësimin e rritjes ekonomike në ekonomitë e mëdha, atëherë mund të shohim edhe një ulje të përgjithshme të projeksioneve për rritjen globale.”
“Kur shikojmë gjasat, ende ekziston një probabilitet më i lartë që SHBA mund ta shmangë recesionin këtë vit. Por, ju lutem, të mos e lëkundim më tej varkën,” paralajmëroi ajo.
Sipas CNN, FMN-ja aktualisht parashikon një rrezik prej gati 40% që SHBA të futet në recesion këtë vit, sipas parashikimeve më të fundit të publikuara në prill, një vlerësim më pesimist krahasuar me projeksionin e mëparshëm të tetorit, përpara se administrata Trump të njoftonte rritje dramatike tarifash.
“Më shumë pasiguri do të thotë më shumë luhatje, dhe kjo është e keqe për biznesin. Kur ekziston pasiguri, çfarë ndodh? Investitorët nuk investojnë, konsumatorët nuk konsumojnë dhe kjo mban poshtë perspektivat për rritje,” përfundoi Georgieva.