Regjisoren durrsake, Driada Dervishi, megjithëse jemi në periudhë pushimesh, e gjejmë në punë. E jo duke vënë në skenë vetëm një pjesë teatrale, të cilave “ua ka marrë dorën” me eksperiencën e gjatë që ka krijuar tashmë, por duke organizuar jo pak, por një festival veror. Një festival që, siç thotë vetë ajo, nuk mund ta konceptonte në asnjë vend tjetër përveç Durrësit, sepse para së gjithash ajo vetë është durrsake.
Ka nisur të vërë në skenë për herë të parë një pjesë teatrale në vitin 2002 e që nga ajo kohë nuk është ndalur më. Thuajse çdo vit ka qenë e pranishme para publikut durrsak e jo vetëm me vepra të reja duke u afirmuar tashmë si një regjisore mjaft e zonja, me gjetje pikante në zgjedhjet e saj teatrale.
Suksesi i saj personal do të kulmonte me titullin “Regjisori më i mirë i vitit” në çmimet Kult 2015, me komedinë “Vanja, Sonja e Masha”, bashkëpunim i Teatrit Kombëtar dhe Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Po në këtë vit ajo do të nderohej me dy çmime të tjera në Kokofest në Korçë, “Regjia më e mirë e Festivalit” dhe “Shfaqja me mirë e Festivalit”.
Por duket se sfida për të vënë në skenë një vepër të re nuk i mjaftonte më. I nevojitej diçka më e madhe, diçka që jo vetëm të afronte publikun me teatrin, por edhe që të promovonte vlerat arkeologjike e historike të qytetit ku ajo ka lindur e që e do aq shumë, Durrësit.
Dhe kështu nisi sfida. Së bashku me një grup kolegësh nisi punën për të organizuar të parin edicion të festivalit “Verë në Epidamn”, një festival që ndërthur artin me historinë, që sjell publikun durrsak e më gjerë në ato vende ku mijëra vite më parë uleshin spektatorët e Epidamnit të lashtë, një festival që ringjall dhe i jep jetë njërit prej siteve arkeologjike më me vlera në të gjithë Ballkanin, Amfiteatrin e Durrësit.
Me thjështësinë që e karakterizon, me lirshmërinë në të folur, biseda me regjisoren Dervishi rrjedh mjaft këndshëm. Nga biseda me të kupton se megjithë vështirësitë me të cilat përballet arti dhe artistët, kur ekziston vullneti i mirë dhe dëshira e madhe për të vënë në jetë një projekt gjithçka është e mundur.
Kur e pyes se pse zgjodhi këtë emër për festivalin ajo përgjigjet:
“Një nga shfaqet më pikante të festivalit ishte edhe “Binjakët”, komedi kjo e shkruar nga Plauti rreth 2200 vjet më parë. Ai i vendoste ngjarjet në Epidamn dhe epidamnasit i konsideronte si njerëz të qejfit dhe pijes. Duke marrë shkas nga kjo edhe ky festival u quajt “Verë në Epidamn”, pra verë si pija dhe si stina”.
Gjatë punës kolosale për t’i dhuruar Durrësit një festival të këtyre përmasave, regjisorja thotë se ka krijuar një familje të dytë me miqtë e saj: Olta Dako, Besmir Bitraku dhe Adelina Muça, pa pjesëmarrjen e të cilëve, ky festival mbase nuk do të ishte bërë i mundur.
Ndiqni për më tepër intervisten me regjisoren Dervishi për të mësuar edhe më shumë për sfidat e këtij festivali veror dhe shumë detaje të tjera që Dervishi zgjedh t’i ndajë me lexuesit e portalit DurrësLajm.
R.O.





