Vazhdon të dridhet toka në Durrës. Një lëkundje tjetër sizmike është regjistruar në orën 16.46 nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Tërmeti me manjitudë 3.3 ka pasur për epiqendër fshatin Kuraten, në Ishëm. Lëkundja e re sizmike pason atë të mëngjesit të sotëm, të regjistruar po në të njëjtën zonë dhe me manjitudë 3.8.
Një ditë më parë, DurrësLajm raportoi për dy lëkundje të tjera që u regjistruan përgjatë së dielës dhe të henës, në rrethinat e qytetit bregdetar.
Vlen të theksohet se që nga tërmeti i fortë 5.2 ballë i korrikut të vitit të kaluar, nëntoka e qarkut të Durrësit nuk po gjen qetësi.
Fatmirësisht lëkundjet nuk kanë qenë aq të fuqishme sa ato të korrikut të 2018-ës, por Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj kanë qenë përgjatë gjithë këtyre muajve epiqendra të lëkundjeve sizmike të lehta, por edhe atyre më të forta, deri më 3.8 ballë.





