Drini Zeqo është një ndër figurat më të njohura dhe të spikatura të ekranit dhe televizionit shqiptar. Në studion e “Rudina” në Tv Klan pasditen e kësaj të shtune, ai tregon raportin e ngushtë që ka me librin.

Sipas tij, të lexosh një libër do të thotë jo vetëm të zgjeron bagazhin e njohurive, fjalorin apo imagjinatën, por të ndërtosh vetveten.

“Lëvizja drejt një bote që ti nuk e kontrollon dot më, që është imagjinata, ëndrra dhe të ëndërruarit është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një njeriu. Nuk ka asgjë më të bukur se kaq, sepse aty ti ndërton vetveten. Por, gjëja e dytë pas asaj që krijon leximi është lufta me historinë që t’i lexon dhe kur e vërteton këtë me autorin e librit. Mua si gazetar më ka bërë shumë përshtypje kur takova për herë të parë një jetë një shkrimtar, të cilit unë i kisha lexuar një libër dhe e shikoja, e thoja me vete ‘si i ka krijuar historitë? I ka të vërteta?’ Besoj që një nga autoret e para që kam takuar ka qenë Diana Çuli dhe e pyesja për personazhet, se si e kishte krijuar dhe ajo më tregonte detajet. Si gazetar pastaj kam takuar shumë shkrimtarë të tjerë që më bënë të kuptoja se si krijoheshin historitë, cilat ishin qëllimet e tyre. Shpeshherë librat krijoheshin apostafat për të shpërndarë mesazhe të caktuara apo për të dhënë një kulturë të veçantë. Kështu që të lexuarit nuk mbaronte më deri te faqja e fundit, por ishte një proces që vijonte dhe kur libri kishte vazhdimësi.”

Por, nëse do e pyesje Drini Zeqon se çfarë mendimi do kishte për filmat e bazuar në libra, ai do i cilësonte si një zhgënjim. Pasi në studio tregon se gjëja më e shëmtuar që i ka ndodhur në jetë është pikërisht të shikosh në ekran një histori që ti e ke lexuar dhe shfletuar. Është zhgënjyese të shikosh një personazh të “transformuar”, që nuk i ngjason aspak atij personazhit ideal që t’i kishe fantazuar.

“Gjëja më e shëmtuar që mua më ka ndodhur në jetë është kur i shikoja librat film. Ajo ishte gjëja që më zhgënjen më shumë. I kisha krijuar ata personazhet në botën time me portrete të caktuara, me gjatësinë e caktuar dhe ku i shikoja në film thoja me vete po pse i kanë bërë kështu.”