TIRANE – Aktorja e mirënjohur Drita Pelinku, ka dalë nga salla e reanimacionit ku ndodhej prej së dielës në mbrëmje, pas aksidentit që pati në ambientet e banesës së vet. Mjekët konfirmojnë se gjendja shëndetësore e aktores 86 vjeçare është stabilizuar dhe javën tjetër ajo parashikohet të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar.

Shfaqja "Përjetësisht dashuri…", regjizorit Mihallaq Luarasi, e programuar për këtë javë do të shtyhet. Në këtë pjesë Pelinku interpreton rolin e Zarinës. Drita Pelinku humbi ekuilibrin dhe u rrëzua në shtëpinë e saj të dielën e javës së kaluar dhe për pasojë pësoi dëmtime të ndjeshme në trup.

Pelinku është aktorja e mbi 130 roleve në teatër e kinematografi, e angazhuar që prej vitit 1946 në teatër, e që prej 1958-ës në një rol të vogël në filmin e parë shqiptar, "Tana".

Megjithëse edhe në shfaqjet e mëparshme të saj Pelinku është shprehur gjithmonë se kjo është shfaqja e fundit, duket se dashuria për skenën vazhdon të jetë mjaft e madhe në zemrën e aktores 86 vjeçare, që pavarësisht moshës së thyer vazhdon të mbetet aktive në jetën artistiko-kulturore të vendit.