Tiranë, 28 maj 2014 –  Dritan Dajti, i akuzuar për masakrën e 7 gushtit 2009 në Durrës, ku brenda katër minutave ekzekutoi katër oficerë të skuadrës speciale operacionale, tenton të kapë "shat mat" Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prej kohësh, i pandehuri ka paralajmëruar se do të hapte atë që e konsideron si 'kutia e Pandorës' dhe këtë herë është hedhur në veprim. 

Ai nuk ka kursyer as familjarë dhe të afërm të gjykatësve që shqyrtojnë dosjen penale të tij, për të arritur qëllimet e tij, për largimin e kryesuesit të trupës gjykuese Idriz Mulkurti, të cilin një seancë më parë e kërcënoi me jetë. Ndërsa në seancën e djeshme gjyqësore, i pandehuri i kërkoi Mulkurtit dorë-heqjen nga shqyrtimi i çështjes, me pretendimin se ka konflikt interesi, pasi pretendon se kunati i tij, Ergest Xhoxhi ka lidhje me një prej vajzave të Mulkurtit.

"Unë kam prova që kunati im, Ergest Xhoxhi ka lidhje me një femër që është një nga vajzat tuaja. Kam komunikime telefonike, SMS, foto dhe video. Ju duhet të tërhiqeni nga ky proces",– tha Dajti. 

Mandej, fotot dhe MEMO-n ia dorëzoi trupës gjyqësore. I vendosur, gjykatësi Mulkurti vijoi seancën normalisht, duke e vënë në dijeni të pandehurin, se kërkesën për përjashtimin e tij duhej ta depozitonte pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Krimeve të Rënda, ashtu sikurse parashikohet në ligj. Në fakt, në fotot që disponon "GSH", Xhoxhi shfaqet në një lokal me një femër, që sipas Dritan Dajtit, është vajza e gjykatësit Mulkurti, por në këtë foto nuk ka asgjë komprometuese. Vajza është e ulur përballë Xhoxhit dhe duket krejt e qetë, ndërsa kunati i Dajtit, në disa momente shfaqet i shpërqendruar dhe me shikimin jo nga bashkëbiseduesja e tij. 

Përgjatë dhjetëra seancave që janë firmosur me shtyrje, Dritan Dajti po luan të gjithë "gurët e shahut" që të rikthejë nga e para procesin penal në ngarkim të tij. Ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet për vrasjen e katër oficerëve, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, të cilët tentuan t'i vinin prangat, pas shtatë vitesh arrati. Procesi që nisi të dështonte seancë pas seance, pasi asnjë avokat nuk pranonte ta merrte në mbrojtje duke sjellë në gjykatë arsye nga më të ndryshmet, tani ka hyrë në një fazë tjetër, atë të nxjerrjes në skenë nga Dritan Dajti të atyre që i konsideron si prova dhe fakte komprometuese për gjykatësit, për të bërë të mundur largimin e tyre.