13 mars 2015 – Dritan Prifti në një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në 'Ora News', deklaroi se Mark Frroku e kishte informuar për një vrasje që do t’i bënin ish-deputetit Prifti.

Në fillim të intervistës Prifti tha se akuzat e Doshit janë të vërteta dhe se ka qenë në dijeni që në muajin tetor të vitit të kaluar.

Intervista e Dritan Priftit:

 

Ylli Rakipi: Ju shkuat në prokurori dhe thatë se ishit të bindur për vërtetësinë e vidos dhe se Ilir Meta do ta vriste Tom Doshin, ku e bazoni ju këtë?

Dritan Prifti: Ata që nuk e besojnë janë shumë të pakët. Mendoj dhe disa sondazhe që kanë bërë ne televizione e kanë nxjerrë se 80 % e shqiptarëve i besojnë deklaratat e deputetit.  Ata që nuk e besojnë janë disa persona të cilët jetojnë duke shfrytëzuar keqpërdorimin e informacionit. Unë kam bindjen se akuzat e Zotit Doshi janë të vërteta. Bindja ime vjen nga informacioni që kam marrë nga deputeti Tom Doshi. Jam informuar për këtë histori në tetor, ndërsa historia kishte nisur në gusht 2014

Ylli Rakipi: Prokuroria ka thënë se videoja është bërë në muajin gusht

Dritan Prifti: Në gusht është bërë filmimi i personave brenda lokalit ‘Viva’, ndërsa në ditët e para të tetorit është bërë filmimi me Durim Bamin. Kanë qenë të veshur me xhupa.

Unë e pashë një ditë në ‘Sheraton’ Tom Doshin  me makinë të blinduar dhe me roje te shtuara e pyeta. Ai më pas më tregoi historinë. Jam informuar në fillm të tetorit, ndërsa Toma kishte që në gusht që e kishte kete informacion. Ai kishte zgjedhur të mos më informonte më përpara se ishte një vrasje që kishte lidhje edhe me emrin tim.

Ylli Rakipi: Tingëllon pak e çuditshme se ju e keni pasion këtë punën e videos?

Dritan Prifti: Une nuk  kam pasion. Regjistrimet që kam bërë kanë qenë për Ilir Meten dhe të afërmve të tij për të më dhëne mua prova të mjaftueshme se kush ishin ata dhe për t’u treguar shqiptarëve se kush ishin ata. Une nuk jam aktor dhe nuk kam ekspertizë se po të kisha, ai regjistrimi me Meten do ishte i kulluar. Meta shpëtoi nga burgu se ajo video u bë nga një person që nuk kishte eksperiencë.

Në këto momente njeriu duhet të jetë i kthjellët. Unë e dija prej 6 muajsh që Meta donte të më largonte. Por nuk ma kishte thënë, madje disa ditë para largimit tim nga LSI-ja isha për drekë me bashkëshorten te shtëpia e Ilir Metës dhe ai me fali edhe një pikturë. Unë e dija ndërkaq për largimin. Ndaj videoja më shërbente për t’u mbrojtur.

Ylli Rakipi: Miku mund t’iu kishte kërkuar ndihmë për shkak të videos suaj?

Dritan Prifti: Unë mendoj se Doshi duhet të më kishte njoftuar më përpara se për shkak të urrejtjes që Meta kishte për mua ai donte të hakmerrej ndaj Tomës për shkak të ndihmës që Doshi më dha në atë periudhë. Toma duhet të më kishte informuar më shpejt pasi mund të ishte vrarë më shpejt. Por ai mendoi se duhet te fliste me kryeministrin, prokurorin etj. Nuk kam qejfmbetje për këtë. Pasi jam informuar, jam përpjekur t’i qëndroj pranë. Une kam krijuar bindjen time personale se kjo eshte vepër e Ilir Metës dhe personave të tjerë rreth tij.

Ylli Rakipi: Pse duhet ta vriste Ilir Meta Tom Doshin dhe Fufin duke destabilizuar vendin?

Dritan Prifti: Sa janë vrarë dhe askush nuk e di, nuk u destabilizua vendi. Nuk do te destabilizohej vendi pasi do sillte ca deputetë të tjerë. Po ju pyes ju dhe shqiptaret: Pse Tom Doshi kishte interes të sajonte një gjë të tille? Doshi ishte një deputet shumë i fuqishëm i PS-së me marrëdhënie shumë te forta personale me kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, deputetet.

Ylli Rakipi: Kohët e fundit nuk ka qenë kështu?

Dritan Prifti: Doshi merrte në telefon ministrat kur ishte në lokal dhe u thoshte hajde këtu. Kishte një situatë të tillë. Pse duhet ta bënte dhe të humbte gjithcka, edhe sulmin ndaj bizneseve te tija?

Ylli Rakipi: Pse Ilir Meta duhet ta vriste? Duhet t’iu vriste juve, i bie kështu.

Dritan Prifti: Pse do sajonte Tom Doshi personazhet makabër?! Ku do ta gjente Durimin, Tonin, s’i ka njohur asnjëherë. Ka pasur një plan dhe për goditjen time. Kur e mori vesh që ishte Ilir Meta, Tom Doshi është shokuar sepse rrinte tre-katër herë në javë dreka-darka me të. Duke hipur majë helikoterit. Ka pasur një plan për të më goditur dhe mua.

Ylli Rakipi: Nuk është ndonjë histori e madhe. Një nga personazhet e historisë, një nga Gjermania nuk më hyri në linjë në emisionin e kaluar në 15 minutat e fundit.

Dritan Prifti: Personazhi që flet është dënuar në Gjermani për trafik droge. Ky personazh është në Itali i dënuar me vendim gjykate me 17 vjet burg për trafik narkotikësh dhe çështja është në apel. Po flasim për një personazh që vjen nga bota e krimit dhe Doshi ka thenë që ai ishte sekser që vriste me pagesë. Këtë personazh e ka përpunuar Spartak Braho në Gjermani dhe e ka sjellë në Shqipëri. Kam një informacion që edhe Ilir Meta ka qenë në Itali për këtë çështje. Spartak Braho është fotografuar në Gjermani. Eshtë një histori e tmerrshme. Ka vajtur Fatjoni në gjykatë dhe ka thënë nuk është e vërtetë dhe duhet ta besojmëë tani?

Ylli Rakipi: Ai më ka thënë që nuk e njihte fare këtë problem.

Dritan Prifti: Çfare prisnit ju, që ta pranonte dhe të dënohej me 20 vjet burg?

Ylli Rakipi: Ka thënë që personazhet e historisë nuk i njeh. Që Ilir Metën nuk e njeh fare.

Dritan Prifti: Ilir Meta është takuar me Tonin brenda lokalit ‘Viva’ me një mik tjetër. Mik që ka bindur Tonin për këtë dëshmi që ka bërë.

Ylli Rakipi: Ju shprehët bindjet se Mark Frroku gënjente. Pse?

Dritan Prifti: E kam shprehur jo vetem se këto gjëra mi ka deklaruar Toma, por m’i ka deklaruar edhe mua Marku. Unë jam  bindur që Mark Frroku gënjen. Ai do kishte një rol të respektuar në këtë histori se ai e ka njoftuar Tomën për vrasjen dhe i ka shpëtuar jetën. Frroku me Tomën dhe Durim Bamin  janë takuar të paktën 3 herë. Një herë në zyrat e Profarmes së vjetër. Në hotelin e Tom Doshit  dhe në një vend të tretë. Ka dëshmimtarë që i kanë parë dhe e kanë dëshmuar këtë fakt. A e dini ju që Durim Bami është bllokuar nga policia në makinën e Mark Frrokut?

Ylli Rakipi: E kam dëgjuar në ditën e vrasjes së komisarit.

Dritan Prifti: Jo disa muaj më pas, në shtator, tetor, nëntor. Durimi është bllokuar me makinën e Mark Frrokut. Ka vajtur Marku ta nxirrte Durmin dhe makinën policia e ka mbajtur 1 javë. Nëse unë gënjej për këtë, Mark Frroku le të shkojë nesër në prokurori dhe të më denoncojë për shpifje. Nuk kam interes të gënjej. Mark Frroku ka qenë në dasmën e nipit të Durim Bamit. Ai ka thënë unë nuk i njoh.  Do kishte qenë e ndershme të thoshte të vërtetën.

Ylli Rakipi: Ju thatë që Mark Frroku ka arsyet e veta që e përgenjeshtron këtë video? Cilat janë?

Dritan Prifti: Arsyet e Markut nuk mund t’i marr përsipër ti sqaroj. Por të gënjesh për këtë gjë duhet të ketë arsye të madhe.

Ylli Rakipi: Duket se përveç ju dhe Tomës, të gjithë të tjerët po gënjejnë. Vetë i porosituri për vrasje, Bani e ka përgenjeshtruar. Thotë që ka qenë nën presionin e Tomës.

Dritan Prifti: As Tom Doshi dhe as unë nuk kemi fuqinë e pushtetit. Që  të bllokojmë dëshmimtarët në biruca që t’u bëjme presion. Doshi ka vetem Facebook se edhe mediat nuk jane aq të hapura sa ta mirëpresin.

Ylli Rakipi: Doshi është miku juaj i afërt. Ndër miqtë e vetëm të politikës tani. Çfarë është Doshi për ju dhe pse mendoni se dikush nuk e ka futur në kurth sidomos me këtë lojën e kamerave?

Dritan Prifti:  Toma ka shumë miq dhe unë jam ndër miqtë e rinj të Tomës. Sigurisht jam mik me të dhe kjo ka nisur që në kohën kur unë kisha përplasje me Metën.

Në atë periudhë Toma më ka qëndruar afër dhe ishte periudhë e veshtirë për mua. Kisha betejë me shtetin. E kam vlerësuar rolin e Doshit në atë periudhë.

Ai është nje person i lexuar gabimisht nga media dhe opinioni publik. Ai është një person i drejtë. Ai në 25 vite nuk ka pasur asnje problem me drejtësinë , gjithë piramida e shtetit po bie në marrëveshje me krimin në rastin e Doshit. 6 muaj, institucionet e shtetit nuk bënë asnjë veprim që po i bëjne sot dhe po i mbyllin për 2 javë. Tom Doshi eshtë  njeri i besës, burrëror, me shumë biznesmen se politikan. Nuk ka prirjen e një politikani të mirëfilltë dhe oratorinë për t’u përfshirë në debate. Por është bamirës dhe mijëra familjë në Shkodër i ka mbështetur dhe gëzon mbështetje. Unë jam këtu pasi nuk mund ta pranoj që kur një mik është në vështirësi dhe unë nuk jam.

Ylli Rakipi: Ka kaluar dita e vështirë se tani nuk e kërcënon më njëri ta vrasë. Ilir Meta nuk besoj se e vret pas këtyre ngjarjeve.

Dritan Prifti: Mark Frroku në gusht 2014 ka ardhur tek unë e më ka thënë duan të të vrasin. Mark Frroku erdhi të më paralajmëronte. Erdhi dhe tek Toma dhe tek unë. Unë isha në Vlorë me pushime. Me thënë të drejtën unë gjykova të merrja nje vendim tjetër nga TomaKur më tha Marku mora një person që është mik i ngushtë i imi dhe Ilir Metës. Është një person i cili ka besimin tim të plotë dhe të Ilirit. Unë zgjodha rrugën që i thashë Ilir Metës.

 Ylli Rakipi: Kush është ky?

Dritan Prifti: Nuk mund ta them. Une nuk zgjidha rrugën e Tomës. Zgjodha  ti çoja informacion Metes. Ai më mori në celular se ishte në Jalë me pushime. Meta më telefonoi dhe më tha çfarë janë këto muhabete. Shih mos janë ndonjë skenar i Visho Ajazit dhe Berishës. Pas kësaj telefonate une e mbylla këtë histori.

Ylli Rakipi: Toma e lajmeroi Metën?

Dritan Prifti: Toma nuk kishte plan ta bënte publike. Toma donte t’i njoftonte këta. Unë i kisha thënë që të mos e bënte publike se unë e bëra publike dhe nuk nxorra gjë. Askush nuk do të dënohet dhe t’i do të shihesh me sy ndryshe nga partia jote. Por Toma e bëri videon publike pas tentativës për t’u vrarë nga Durim Bami. Ishte një tentativë për shpërthim me eksploziv dhe tri-katër ditë më pas ai e bëri publike dhe qëllimi ishte të shmangte vrasjen e tij.

 Ylli Rakipi: Tentativë vrasje ka pasur edhe për Fatjonin. Ai u plagos dhe iku drejt Gjermanisë. Këtu nuk mund të ketë qenë Meta përderisa ai ishte porositesi, në emër të Metës.

Dritan Prfiti: Nuk mund të marr përsipër të bëj komente për këtë. Shpresoj ta zbardhë prokuroria se kush ka dashur ta vrasë.

Ylli Rakipi: Videoja juaj solli 21 janarin. Cili është opinioni juaj sot?

 Dritan Prifti: Po të isha me mendjen time sot nuk do e kisha bërë publike, humba shumë.

Ylli  Rakipi: Ju e bëtë publike se ju hoqën nga ministër?

Dritan Prifti:  Nuk ka lidhje. Meta më ka bërë ofertë të behesha ministër sërish para se ta bëja videon. Në prani të atij mikut. Unë kam humbur nga ajo video. Më vodhën votat dhe nuk donin të isha në Parlament. Për 21 janarin mendoj se ishte krim shtetëror. U vranë njerëz në bulevard nga shteti. Në atë periudhë kam bërë një deklaratë që i qëndroj dhe sot. Nuk do të ketë më kurrë bashkëpunim timin me Berishën.

Ylli Rakipi: Pra ju nuk keni bashkëpunim me asnjë nga ata që janë sot në politikë. Vështirë rikthimi juaj në politikë.

Dritan Prifti: Fola për 21 janarin

Ylli Rakipi: Doshi ka folur për takimet tuaja me Ramën. çfare ishin ato?

Dritan Prifti:  Rama më takonte pothuajse çdo ditë, herë në shtëpinë e tij në Pezë, herë në hotelin e Dash Pezës në Tiranë, herë në shtëpine e Tom Doshit, zyrat e Fidelit etj., dhe qëllimi ishte të nxirrja videon për Ilir Metën. Të ishte për të unë nuk do e kisha nxjerrë kurrë. Ishin një seri faktorësh që më bënë atëhere ta publikoja atë video. Qëllimi kryesor ishte t’u tregoja shqiptareve se kush ishte Ilir Meta dhe nëse nuk do të gjeja atë mbështetje te kryetari i opozites nuk do e bëja

Ylli Rakipi: Cili është Ilir Meta për ju, miku juaj i ngushtë, ishit nënkryetar i LSI-së dhe kemi të bëjmë me këtë videoskandal.

Dritan Prifti: Nuk ka një person të dytë në Shqipëri që të dijë më shumë gjëra per Meten sesa unë. Unë kam bere paqe me Meten. E kam takuar 2-3 here me të pas videoskandalit.  Historia me Meten nuk hapet më, jam vigjilent pasi e di që Meta ka një element pabesie. Vigjilencen nuk e humb, por i përmbahem marrëveshjeve.

Ylli Rakipi: Si mendon se do të zgjidhet çështja Doshi?

Dritan Prifti: Kështu si po shkon mendoj se do të ketë një zgjidhje të shpejtë dhe nuk do të gjendet e  vërteta. Me disa dëshmimtarë që thonë po e disa te tjerë jo. Pra, nuk do te gjendet që Meta të jetë fajtor dhe Doshi të jetë gënjeshtar. E vetmja mundësi që kjo çështje të zbardhet, është që të ketë hetues ndërkombetar, pasi ka fakte që hetuesit ndërkombetarë mund t’i zbërthejnë dhe të arrijnë te e vërteta. Unë  pyeta një ndër prokurorët kur isha në prokurori dhe i thashë që ka me mijera sms mes Durimit dhe Fatjonit gjatë 5 muajve që ishte planifikuar vrasja dhe prokurori më tha qe nuk mund t’i zbardhim mesazhet pasi duhet të kishim urdhër për t’i përgjuar dhe mund të kemi vetëm tabulatet. Aty kanë shkëmbyer mesazhe për vendet ku ishte Toma dhe çfarë bënte. Kompanitë tona celulare i ruajnë mesazhet tona për 6 muaj dhe prokuroria nuk ka fuqi ligjore t’i marrë ato pasi duhet të kishte urdhër përgjimi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/