Ish-ministri dhe ish-deputeti Dritan Prifti shuan kureshtjen e të gjithë atyre që presin ta shohin emrin e tij në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Kur partitë e regjistruara në KQZ për këtë proces zgjedhor, kanë bërë publike emrat e kandidatëve për deputet, Dritan Prifti ka një sqarim për gjithë përkrahësit e tij.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Prifti ka sqaruar se nuk do të kandidojë në zgjedhje. Pavrësisht kënaqësisë dhe deshirësa, sëmundja e gjakut me të cilën po lufton ia pamundëson këtë.
Megjithëse nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ai nuk dëshiron të marrë pjesë as në procesin e votimit. “Unë nuk do votoj në këto zgjedhje. Nuk mendoj se dhe ju keni motiv te votoni. Shqipëria ka ecur mbrapa drejt varfërimit dhe mungesës se demokracisë”, shkruan Prifti.
STATUSI I PLOTË:
Përshëndetje miqtë e mi.
E di që jeni kuriozë të dini nëse unë do kandidoj në zgjedhjet e 18 qershorit. Nuk do kishte kënaqësi më të madhe për mua sesa të kisha mundësi të kandidoja dhe përfaqësoja përsëri ju në politikë. Por nuk mundem fizikisht. Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushatë. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt.
Nuk dua të mërziteni. Këto zgjedhje nga mënyra si po bëhen, pa opozitën, do dështojnë dhe do ripërsëriten shpejt. Lutjuni Zotit nëse besoni që unë ta kaloj shpejt këtë sëmundje dhe të jemi bashkë në momentin më të parë.
Unë nuk do votoj në këto zgjedhje. Nuk mendoj se dhe ju keni motiv të votoni. Shqipëria ka ecur mbrapa drejt varfërimit dhe mungesës së demokracisë. Megjithatë askush nuk mendon për ju, nëse nuk mendoni për vete. Nëse do votoni, bëjeni për interesin tuaj dhe askujt tjetër.
Ju përqafoj
Dritan Prifti





