Në protestën që po mbahet nga opozita për rrëzimin e qeverisë “Rama”, përveç fjalës së politikanëve, u shfaqën edhe dy videomesazhe.
I pari tregon gjendjen e mjeruar sipas PD-së, në të cilën jetojnë shqiptarët që kërkojnë azil në një kamp, në Lion të Francës. Zëri është i një prej emigrantëve që shpjegon gjendjen ku banojnë rreth 70 familje në çadra.
“Ja pra këtu janë çadrat ku jetojnë shqiptarët, por nuk dalin me dhënë intervista sepse u vjen zor. Kjo është gjendja e shqiptarëve që kanë ikur prej mjerimit në Shqipëri. Janë mbi 70 familje që janë vendosur këtu, në këtë zonë. Mbi 250persona jetojnë këtu. Ja flasim nga afër me këtë zonjë. Ja ta shohin pushtetarët, shteti shqiptar ku janë katandisur shqiptarët , populli shqiptar. Ekonomia përtokë”.
Videomesazhi tjetër vjen nga oficeri i policisë, Dritan Zagani, aktualisht në azil politik, pasi denoncoi publikisht në tetor 2015 se makina e ministrit të Brendshë Saimir Tahiri, përdor për trafik ndërkombëtar droge nga banda e Habillajve.
“Përshëndetje! Unë jam Dritan Zagani. Protesta ime ndaj krimit, çlirimit të drejtësisë nga mafia ka nisur prej 20 vitesh kur nisa punë si oficer Policie dhe prej 3 vitesh në mënyrë të pandërprerë në arrati, ku sakrifica e familjes dhe fëmijëve të mi është ekstreme. Jam ndëshkuar nga padrejtësia, nga trafikantë që kishin në dorë ligjin, nga trafikantë droge në Policinë e Shtetit të lidhur me eprorët e tyre.
Unë u bëj thirrje kolegëve të mi në Policinë e Shtetit, atyre oficerëve të përkushtuar të kenë kurajën të denoncojnë lidhjet e krimit kushdo që qofshin ato, sepse kështu do të jenë mburoja më e mirë, do të jenë misionarë të drejtësisë.
Unë jam detyruar të largohem nga Shqipëria prej kërcënimeve, por kjo nuk është zgjedhja ime që unë të jem në arrati se ndalova Habilajt dhe Saimir Tahirin në Parlament. Sikur nuk shkon apo jo?! Unë dua të kthehem dhe do të kthehem. Ndaj dhe dua që krimi dhe bandat të mos jenë më në krye të vendit tim.”





