Muaji i Ramazanit ka hyrë në 10 ditëshin e tij të fundit, por edhe më të rëndësishmin në aspektin fetar. Më datë 5 prill, besimtarët festojnë Natën e Kadrit, ku agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Por krahas plotësimit shpirtëror, agjërimi është njëkohësisht një ritual i shëndetshëm për trupin.

“Kur nisa agjërimin, kuptova vërtet çdo të thotë të respektosh trupin tënd, të fillosh të llogarisësh sasinë e ujit që ka nevojë trupi në momentet kur agjëron, të fillosh të kuptosh kush janë sasitë e frutave dhe një seri gjërash të ndryshme me të cilat duhet të ushqehesh, pasi ne jemi mësuar të hamë me orare pune, apo fabrike. Të hamë mëngjes se do të shkojmë në punë, apo drekë, apo darkë. Agjerimi ishte një mënyrë për t’u afruar me fenë, por njëkohësisht për të gjetur një seri ekuilibrash qoftë në jetën personale apo atë familjare”,– thotë për “DurrësLajm” urbanisti Artan Kacani.

Ai është mes besimtarëve, që për herë të parë kanë nisur agjërimin këtë vit. Rituali i zgjimit herët në mëngjes për të ngrënë syfyr, i ka kthyer në kujtesë një detaj nga fëmijëria. Remineshenca e atëhershme ka marrë kuptim vetëm këto ditë.

“Jam rritur i vogël tek gjyshja. Ajo në mënyrë të fshehë, në atë periudhë agjëronte. Mbaj mend në fillim të viteve ’90 gjyshja, vazhdimisht në mëngjes, më zgjonte dhe më çonte në ballkon dhe më tregonte disa dritare, që kishin dritat e ndezura dhe më thoshte: I sheh? Ata besojnë!

Unë nuk e kuptoja këtë gjë, sepse isha shumë i vogël. Këtë vit ndodhi një si tip surprize. Kur vendosa të agjëroj, u zgjova në orën 04.00 të mëngjesit dhe shkova tek ballkoni dhe pashë pallatin përballë. Një pjesë e mirë e dritareve kishin dritën ndezur. Aty kuptova çfarë donte të më thoshte gjyshja ime: Të mbash besimin ndezur edhe në kohët më të errëta!”

Një ndër 5 shtyllat më të rëndësishme të besimit islam është falja apo namazi, siç njihet në terminologjinë fetare. Ritual që ka nisur ta praktikojë edhe urbanisti Kacani, mes shumë të rinjve që u janë bashkuar kohëve të fundit besimtarëve më të vjetër duke rritur në mënyrë të ndjeshme praninë e qytetarëve në xhami.

Muaji i madhërueshëm i Ramazanit është periudha më e rëndësishme në kalendarin islamik. Ky muaj mbledh me mijëra besimtarë në xhamitë e mbarë botës dhe i paraprin festës së Fiter Bajramit.  

M.B.