Tiranë, 22 mars 2014 – Tarifat e energjisë do të rishikohen dhe deri në fund të qershorit do të jetë përcaktuar qartë metodologjia dhe përllogaritja e re.

Në një intervistë për “Vizion Plus”, kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, e konfirmon këtë nismë. Ai nuk pranon drejtpërdrejt për një rritje të çmimeve, por nënkupton unifikimin e tarifave, çka do të heqë automatikisht faturimin me dy fasha që ekziston aktualisht.

Pra, nëse sot çdo familje paguan 300 kilovatët e parë me 7.7 lekë dhe pjesën mbi këtë me 13.5 lekë, pas qershorit pritet të ketë një unifikim të tarifës dhe tipologjia e subvencionit për familjet në nevojë do të përcaktohet me metodologji të re. Para kreut të ERE-s kanë folur ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, të cilët kanë pranuar rishikim të tarifave, madje vetë qeveria ka pranuar përafrim të tyre me tregun në dokumentin me FMN-në, pasi çmimi aktual është shumë i ulët. Ndryshimi i tarifave do të bëhet për të nxjerrë nga kriza ku janë zhytur operatorët e tregut dhe kryesisht shpërndarja.

 

Bilanci

Afërsisht 1 në 3 kilovatë të prodhuar në vitin 2013 ka humbur në rrjet. Bilanci i energjisë për vitin 2013 i publikuar nga INSTAT tregon edhe situatën. Nga totali prej 9309 gigavatësh, që është totali i energjisë së prodhuar dhe importuar për vitin 2013, gati 3305 gigavat kanë humbur në rrjet dhe nga këto gati 3196 gigavat vetëm në shpërndarje. Me një llogari të thjeshtë rezulton që kompania “CEZ” të ketë humbur miliona euro.

Le të marrim si shembull që kjo energji do të ishte faturuar me tarifën mesatare që sot u faturohet individëve. Pra, kanë humbur 3.3 miliardë megavat energji, e shumëzuar kjo me 10.06 që është tarifa mesatare e faturimit për konsumatorët familjarë, të kemi një humbje prej më shumë se 33 miliardë lekësh apo 230 milionë euro. Nivele të tilla të humbjes tregojnë për situatën ku ndodhet rrjeti i shpërndarjes dhe se çmimi që paguhet sot nga individët mbulon edhe pjesën e asaj energjie që nuk paguhet. Në shifrat e tjera që servir INSTAT rezulton që të ketë pasur një rritje të prodhimit dhe të eksportit krahasuar me vitin 2012, ndërkohë që edhe te humbjet ka një rritje krahasuar me një vit më parë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/