Bashkia e Durrësit i hap dritën jeshile rikonstruksionit të tregut fshatar.

Tenderi për rikonstruksionin e merkatës së fruta perimeve është hapur ditën e sotme, ndërsa më 19 mars do të hapen ofertat e kompanive të interesuara për të kryer këto punime.

Në fillim të këtij muaji, arkitektja e bashkisë Alba Kokomani shpjegoi për “DurrësLajm” se e gjithë sipërfaqja e tregut, rreth 5000 m2 do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.

“Aktualisht tregu ka një strukturë ekzistuese me konstruksion metalik dhe mbulim me llamarinë të valëzuar. Tregu i ri do të jetë një ndërtim tërësisht i ri, me mbulesë kapriate metalike dhe panele sanduiç. Pjesa e jashtme e fasadës do të ketë një veshje metalike me vrima, shtrimi në katin përdhe do të bëhet me pllaka grez porcelani, ndërsa do ta vendosen 350 tezga të reja metalike”,– tha Kokomani më datë 3 shkurt.  

Në dokumentet shoqëruese të tenderit, bashkia Durrës thekson se projekti për rikonstruksionin e merkatës “synon të unifikojë këtë hapësirë tregtuese duke evidentuar dhe rivleresuar në mënyrë të qartë vlerat urbane dhe arkitektonike të trashëguara, të maksimalizoje funksionet e pa shfrytëzuara dhe të keq-shfrytëzuara të hapësirave urbane, dhe të percjellë te qytetari nje hapësirë e cila i kalon dimensionet e një siperfaqeje tregtuese të trashëguar, por që ndërthuret mirë me kërkesat bashkëkohore të shfrytëzimit të siperfaqeve publike sipas karakterit që ato trashëgojnë”. 

Aktualisht, gjendja e tregut fshatar në Durrës është totalisht e degraduar. Pas rikonstruksionit të tregut pritet të rritet edhe kapaciteti i tij me rreth 50 tezga të reja, me një total prej 350 të tilla. Gjatë kohës, kur tregu i fruta-perimeve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, punimet do të ndahen në dy faza, ndërsa një pjesë e tregtarëve do të spostohen në pika të tjera, të vëna në dispozicion nga bashkia. 

Rikonstruksioni i tregut pritet të realizohet brenda një periudhe 6 mujore, ndërkohë që vlera e projektit është 49.998.000 (dyzet e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjet e tetë mijë) lekë.

Bashkia sqaron se buxheti për këtë projekt është i ndarë në dy vite financim: “Buxheti per financim viti 2021: 30.000.000 lekë, viti 2022: 30.000.000 lekë”.

M.B.