Fondacioni shqiptaro-amerikan i zhvillimit (AADF) ka prezantuar një ditë më parë Planin e Menaxhimit të Integruar të zonave arkeologjike A dhe B në Durrës.
Fondacioni pritet të marrë me koncesion 15-vjeçar menaxhimin e siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.
Projekti që në fillim u konceptua si një ndihmë për qytetin e goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po kthehet në një komcesion të mirëfilltë, që do të menaxhojë të gjitha parkun arkeologjik të Durrësit.
Në Planin e Menaxhimit të Integruar, rreth 250 faqe specifikohen ndërhyrjet që planifikohet të kryhen dhe vlerat përkatëse të investimit.
Sipas AADF-së, investimi në amfiteatër do të kapë vlerën 3.3 milionë dollarë, ndërsa ai tek Forumi Bizantin dhe Termat romake arrin 2.3 milionë dollarë. Ndërkohë, investimi tek Itineraret urbane kap vlerën 1.6 milionë dollarë.
Në Planin e Menaxhimit, AADF planifikon zbatimin e projektit në tre faza, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku në secilën prej tyre planifikon të realizojë ndërhyrje në disa prej siteve të trashëgimisë kulturore në zonën A dhe B të qytetit.


Në projektet afatmesme dhe afatgjata përfshihet për herë të parë parku nënujor arkeologjik i Durrësit, për të cilën AADF ka dizenjuar edhe hartën përkatëse ku do të përqendrohen kërkimet. Duket se përveç tokës, Fondacionit do t’i jepet me koncesion edhe një pjesë e detit!

E ndërsa shpronësimet e familjeve që do të preken nga shembjet e banesave tek amfiteatri dhe Rruga Tregtare do t’i realizojë qeveria shqiptare, pjesa tjetër e investimit të konsiderueshëm pritet të realizohet nga Fondacioni AADF.
Në një nga pikat e Planit të Menaxhimit, Fondacioni sugjeron zgjerimin e listës së monumenteve të kulturës me objekte të reja, të cilat duhen marrë në mbrojtje për shkak të karakteristikave të rëndësishme arkitektonike, historike dhe stilistike. Në listën që propozon AADF janë përfshirë xhamia, godina e bashkisë, vila e mbretit Zog, hotel Vollga, Muzeu i Dëshmorëve, Pallati i Kulturës, Prefektura dhe Pallati i Sportit.
E ndërsa po punon prej dy vitesh më këtë projekt, që hapin e parë e hodhi më 9 qershor 2020, me marrëveshjen trepalëshe të nënshkruar mes përfaqësuesve të AADF, ministres së kulturës Elva Margariti dhe kryetares së bashkisë Durrës Emiriana Sako, Fondacioni thotë se gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar konsulta me grupet e interesit të vendosura në Durrës, por nga kontaktet që “DurrësLajm” pati me disa prej tyre mohuan t’u ishte vënë në dispozicion një draft i planit të menaxhimit.

AADF justifikohet me fakti se një pjesë e diskutimeve janë kryer online për shkak të pandemisë, por i vetmi diskutim publik në Durrës, ku media nuk u lejua të merrte pjesë ishte ai i mbajtur më datë 7 dhjetor 2021, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Dëgjesa publike u zhvillua me qytetarë dhe biznese të Durrësit, të cilët preken direkt apo indirekt nga projekti i amfiteatrit dhe ndërhyrjet restauruese përgjatë “Rrugës Tregtare”, në kuadër të projektit “TID”.
Tashmë që plani i menaxhimit të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit është konkretizuar ai është hedhur për konsultim publik nga qeveria shqiptare deri më 3 gusht të këtij viti.
Pasi të majtë e të djathtë, në pushtet vendor dhe qendror, dështuan në 30 vite të ruanin dhe rijetësonin trashëgiminë kulturore të Durrësit, do të jetë privati që do të menaxhojë pasuritë e nëntokës dhe jo vetëm. Pas mijëra tonelatave beton të hedhura mbi arkeologjinë e pasur të qytetit dhe dëmtimit të pakthyeshëm të saj, shteti ka vendosur t’ia besojë një privati atë që dështoi vetë ta ruante.
M.B.





