14shtator 2015 – Zbulohet vlera e drogës së sekuestruar nga aksionet e policisë që nga fillimi i vitit. Agjencia e lajmeve “AFP” publikon faktin se, janë 7 miliardë euro të hashashit të bllokuar. Përgjatë këtij viti janë asgjësuar 650 mijë bimë kanabis dhe 279 persona janë arrestuar si të dyshuar për kultivim dhe tregtim të lëndëve narkotike. Duke cituar zëdhënësin e Policisë së Shtetit, Ardi Bida, “AFP” shkruan se aksionet u ndihmuan edhe nga policia italiane, kryesisht në zbulimin e vendndodhjes së parcelave të mbjella me hashash.
Një vëmendje i kushtohet edhe operacionit të zhvilluar nga Policia e Shtetit në fshatin Lazarat në qershor të vitit të kaluar. “Një fshat në jug të Shqipërisë, i njohur si ‘mbretëria e kanabisit”, shkruajnë mediat e huaja për Lazaratin.
Gjithashtu “AFP” citon një raport të policisë italiane që në Lazarat u prodhuan rreth 900 ton kanabis, me vlerë të përafërt prej 4.5 miliardë euro.
/portali DurresLajm/