ITALI- Policia e Sanremos arrestoi disa ditë më parë gjashtë persona, pjesë të një organizatë kriminale shqiptare që trafikonte drogë në Itali. Një pjesë e drogës është gjetur e fshehur brenda një okllaie. Ky send ishte lënë në sediljen e një makine "Jaguar" ngjyrë jeshile, parkuar në qendër të Sanremos. Automjeti drejtohej nga shqiptari Xhani Gjonaj. 

Pyetjeve të policëve shqiptari u është përgjigjur me nervozizëm dhe kjo ka ngjallur dyshime. Kjo ka bërë që policia ta shoqëronte shqiptarin për në banesën e tij, për të bërë kontroll. Me t'ju afruar banesës, Gjonaj i alarmuar ka filluar të ulërijë për të lajmëruar bashkëpunëtorët që ishin e ëma, i ati dhe dy femra të tjera.

Në shtëpinë e tyre u gjet 1 kg heroinë e pastër me vlerë 200 mijë euro dhe disa qindra gramë kokainë e marijuanë. Droga ishte e sapoardhur nga Milano dhe ishte e destinuar për shpërndarje në të gjithë zonën, veçanërisht për rastin e festave të fundvitit.

Mediat italiane shkruajnë se dy nga femrat shqiptare të arrestuara, kanë pasur një sjellje sfiduese ndaj policisë, duke buzëqeshur e pozuar teksa fotografoheshin në rajon.