Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë për hetimin e drogës së kapur në portin e Durrësit pak ditë më parë.

Kështu, sekuestrimi i mbi 11 kg kokainë në kontejnerin në port do të hetohet nga Prokuroria e Posacme, SPAK.

Me kërkesë të prokurorit Bledar Bejko, sipas të cilit kjo çështje i përket krimit të organizuar, hetimet për kokainën e sekuestruar në Durrës do të hetohen nga Prokuroria e Posacme.

Kokaina u sekuestrua mesditën e 13 korrikut në port në një kontejner që transportonte banane nga Ekuadori për llogari të kompanisë “Alba Exotic fruit”.

Kontejneri ishte nisur nga Ekuadori më 26 maj dhe ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes ishte në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit.

Aty qëndroi për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit u nis drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri qëndroi për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri udhëtoi drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në portin e Durrësit.