Detaje të reja kanë dalë nga operacioni “Tempulli 3”, i finalizuar një ditë më parë nga Antidroga e Tiranës.
Për të kryer veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndës narkotike, grupi përdorte një numër celulari. Ky numër shërbente për të kryer porosi njëlloj si në një call center.
Në një dhomë në Laprakë qëndronin të paktën 3 persona që shërbenin si operatorë në 24 orë.
Pas porosisë “malli” mbërrinte te klientët përmes shoferëve të taksive, të cilët i shfrytëzonin ato jo vetëm për transport udhëtarësh, por edhe për drogë.
Ata operonin kryesisht në zonën e “Laprakës” dhe “Xhamllikut”. Në mesin e të arrestuarve janë 3 taksistë.
Ndërkohë, përveç porosive që bëheshin përmes numrit celular, anëtarët e grupit komunikonin mes tyre përmes aplikacionit Signal.
“Malli” ruhej në shtëpi me qira që ishin marrë nga ana e organizatorëve, raporton “KlanNews”.
Furnizues të këtij grupi ishin Ervis Gorellari dhe Fatjon Cici të arrestuar në shkurt të këtij viti në “Astir” dhe Enea Sulejmani, Igli Begaj e Shkëlqim Osteni të cilët u arrestuan në 22 Mars në një operacion në rrugën e “Kavajës”.