Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të lajmit se në një autobus në të cilin udhëtonin një grup të rinjsh të Forumit Rinor Eurosocialist, është gjetur një sasi droge pasi u zbulua nga policia kufitare në Turqi.

“Kur mendon se horrllëku i baltës s'ka ku shkon më tutje, ka prapë edhe më tutje!… Sulmi i baltës sot ndaj FRESSH-it, shembulli më i freskët!”, shkruan Rama në “Facebook”.

Ngjarja

Policia Kufitare e Turqisë ka gjetur mbrëmjen e së premtes një sasi droge në një autobus shqiptar, me të cilin udhëtonin 35 të rinj anëtarë të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar dhe disa pasagjerë të tjerë të rastësishëm. Autobusi ishte nisur nga Tirana drejt Stambollit dhe ka kaluar përmes Greqisë.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në pikën doganore të Ipsalas, është konstatuar një sasi lënde narkotike, gjë që ka çuar në ndalimin nga policia të shoferit, ndihmësshoferit, guidës dhe një personi të katërt.

Kryetarja e FRESSH-it, Joleza Koka, sqaroi se lënda e gjetur nuk ka pasur asnjë lidhje me të rinjtë e organizatës socialiste. Gjithashtu ajo theksoi se asnjë prej aktivistëve të FRESSH-it nuk është ndaluar.

“Një grup prej 35 aktivistësh të FRESSH-it janë nisur në datë 28 janar për një udhëtim drejt Stambollit, udhëtim i kryer me një autobus të kompanisë “Fenix Travel & Tours”.

Në autobus, përveç 35 aktivistëve të FRESSH-it, ka pasur edhe udhëtarë të tjerë me destinacion të njëjtë. Pasi është kaluar kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndalesa e parë ka qenë në qytetin e Selanikut, ku pasagjerët kanë kaluar natën në një hotel.

Ditën e dytë ka nisur udhëtimi nga Greqia ne Turqi dhe në kufirin mes dy vendeve, autobusi është ndaluar për t’u kontrolluar. Gjatë kontrollit të mjetit, pasagjerët kanë qëndruar në pikën kufitare, jashtë mjetit.

Informacioni i marrë nga autoritetet kufitare ishte se në autobus dyshohet të jetë gjetur një sasi lënde narkotike e për pasojë shoferi i autobusit, ndihmësshoferi, guida dhe një tjetër person janë ndaluar nga policia,” shpjegoi Koka.