DURRËS, 11 nëntor 2014– Në 7 nëntor 2014 “Mine Dublin Grup” një organizëm i Bashkimit Evropian publikoi raportin e radhës për vendet e Ballkanit Perëndimor, përsa i përket ecurisë së luftës kundër drogës. Raporti u formulua pas mbajtjes së mbledhjes së dytë për vitin 2014 të këtij grupimi në selinë e Ambasadës Hungareze në Podgoricë.
Në raport theksohet roli mjaft problematik i Shqipërisë në vecanti dhe shqiptarëve në përgjithsi përsa I përket trafikimit të drogave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët jo vetëm prodhojnë apo rafinojnë droga në Shqipëri për eksport në këto vende, por edhe tranzitojnë droga (heroinë, kokainë etj.) nga vendet e tyre të origjinës drejt tregjeve (vendeve anëtare të BE-së) duke i kaluar këto droga tranzit nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raporti është mjaft i saktë duke dhënë edhe hollësi të tilla si sasitë e drogave të kapura në Mal të Zi, që kanë ardhur nga Shqipëria ( si vend origijine apo transit I tyre), emrat e operacioneve të përbashkta policore antidrogë midis policive kosovare e shqiptare si psh. Trekëndëshi, Patkoi, Era, Parajsa, etj.
Raporti jep edhe cmimet e drogave me pakicë e shumicë në Shqipëri 9 dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor) dhe si lëvizin këto cmime, kur “eksportohen”, për në tregjet evropiane, apo kur tranzitohen nga Shqipëria nëpër territorin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në raport jepen hollësi për sasitë, mjetet e kamuflimit dhe rrugëkalimet e drogave nga Shqipëria nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor drejt tregjeve evropiane.
Autoritet shqiptare lavdërohen në raport vetëm për operacionet anti-kanabis në Lazarat dhe Dukagjin. Në artikull evidentohet edhe bashkëpunimi i suksesshëm i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë me Ambasadën amerikane në Tiranë, Misionin ICITAP dhe Gardën Kombëtare të Nju Xhersit për të sensibilizuar nxënësit e shkollave për rrezikun e drogës.
Raporti haptas ngre shqetësimin për përdorimin e pronave të ushtrisë shqiptare (facilities) për trafikun e drogës. Historia e avionëve ultra të lehtë sis psh rasti “Riformato” në Divjakë me sa duket kishte alarmuar autoritet antidrogë të Brukselit. Në raport po ashtu përmendet edhe depërtimi i ndikimit të grupeve të krimit të organizuar shqiptar vecanërisht atyre, që merren me trafikun e drogës, në politikën e lartë shqiptare, në nivel parlamentar dhe ministror.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





