Dosja hetimore e Prokurorisë së Elbasanit, për operacionin në burgjet e vendit, koduar “Trinomi”, ku u dokumentua implikimi i 28 personave, mes tyre gardiane, e zyrtare te larte te policise se Burgjeve, si dhe te denuar VIP, zbulon detaje nga menyra se si ata thyenin rregullat me veprimtarine e tyre kriminale.
Në dosje zbulohet se qelitë e Aleksandër Llanaj, Delin Hajdarit dhe Leo Osmanit në burgun e Drenovës, Korçë nuk ushtroheshin kontrolle periodike duke lejuar që në këtë mënyrë në qelitë e tyre të lejoheshin alkool apo telefona celularë me të cilat kryheshin komunikime me të dënuar në burgjet e tjera apo dhe me persona jashtë burgut.
Deri në 2 dhjetor 2020 Llanaj kishte përdorur tre numra me të cilët komunikonte me Arben Grorin, i dënuar në burgun e Peqinit; të dashurën e tij dhe me një person me të cilin vinte baste vetë apo dhe në emër të shokëve.
Telefonatat e dashurisë nga burgu
Si u ra në gjurmët e Llanajt? E dashura, emri i të cilës nis me inicialin A. ishte personi me të cilin Aleksandër Llanaj komunikonte më shpesh.
Prandaj për të rënë në gjurmët e tij policia mori në përgjim numrin e telefonit të të dashurës. U mësua se Llanaj përdorte tre numra telefoni që mbaronin me… 528, …607,…315
Bastet nga burgu
Në dosje mësohet se Aleksandër Llanaj me dy të dënuar të tjerë në burgun e Drenovës, Delin Hajdari dhe Leo Osmani përmes telefonit vendosnin baste për vete dhe të dënuarit e tjerë
Personi që i lidhte ishte me pseudonimin Sanço. Sanço kishte në përdorim një lokal në Vlorë ku organizoheshin lojra fati e bixhozi gjithashtu dhe loto sporti.
“Nëpërmjet telefonave celularë këta shtetas për vete dhe për të dënuar të tjerë kanë komunikuar me persona jashtë ambienteve të institucionit ku ata vuajnë dënimin duke vendosur shuma të ndryshme parash për neshje të kampionateve të ndryshme” thuhet në dosje.
Telefonatat me Arben Grorin
Nga përgjimet rezultoi se përmes telefonit Llanaj kryente biseda telefonike me Arben Grorin që vuante dënimin në Peqin.
Sipas dosjes për të future telefonat celularë në burgun e Drenovës Llanajn e ndihmonte një ish polic burgu kundrejt një pagese.
“Biseda të shpeshta telefonike bëheshin me numrin që mbaron me 180 i cili nga hetimet rezultonte se i përkiste (..) polic në burgun e Drenovës. Nga përgjimet rezulton se i dënuari bisedon me këtë shtetas në lidhje me mundësinë e futjes së sendeve të ndaluara në burgun e Drenovës” thuhet në dosje.
Aleksander Llanaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Çoles në Vlorë dhe vuante dënimin në burgun e Drenovës Korçë.