Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për 5 të arrestuarit e operacionit "Prekalori", të cilët u kapen me 205 kg kanabis që do e trafikonin drejt Malit të Zi.

Kështu, gjykata dha arrest me burg për tre shtetasit Zef Kolaj, Kristjan Melaj dhe Genc Meçaj, ndërsa për Elvis Hysaj dhe Xhuzepe Melaj vendosi masa detyrim paraqitje.

Pesë personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin. Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një furgon, në prani të shtetasve Zef Kolaj dhe Genc Mecej, të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal.

Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera, mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë.

Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip fugon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe "Veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.