Policia greke ka asgjësuar një bandë të trafikut të drogës, të drejtuar nga dy shtetas shqiptarë të moshës 26 dhe 24 vjeç.
Në pranga kanë rënë edhe 8 shqiptarë ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, si dhe dy shtetas grekë.
Sipas policisë greke, banda e sillte drogën e llojit kanabis nga Shqipëria dhe e magazinonte në banesat e dy "kapobandave".
Pjesëtarët e bandës kishin për detyrë t'ua shpërndanin përdoruesve, kryesisht në shkollat e mesme dhe konkretisht në zonat Zografos, Kesariani, Vyrona dhe Pagrati.
Policia thotë se banda ka trafikuar më shumë se 12,5 kg kanabis dhe fitimi total ishte mbi 100.000 euro.
Gjatë kontrolleve në banesat e dy krerëve të bandës u gjetën dhe u sekuestruan: 1,5 kg kanabis, një shumë prej 8.000 eurosh, një pistoletë, si dhe 12 telefona celularë.





