Autoritetet italiane informojnë se gjatë ditës së sotme po ekzekutohet operacioni i koduar “Doppio giocco”, (Lojë e dyfishtë) i koordinuar nga Drejtoria e Antimafias së Ankonës e shtrirë në provincat italiane Ancona, Fermo, Macerata, Pesaro-Urbino e Frosinone si dhe në Shqipëri, Spanjë e Belgjikë.

Ky operacion ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike me vlerë 35 milionë euro duke çuar nën urdhër ndalimi 12 persona shqiptarë e italianë, të akuzuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.

Gjatë hetimit të një procesi investigativ kompleks që nisi në muajt e parë të vitit 2020, ku morën pjesë forcat speciale të Drejtorisë Qendrore të Romës, Policia e Krimit Ekonomik si dhe repartet operative antidrogë, u dokumentua baza e këtij grupi kriminal në rajonin e Marche e shtrirja e tij në degëzime të ndryshme në të gjithë territorin evropian ku trafikohej kokainë e hashash në sasi të mëdha.

Transporti bëhej me automjete të modifikuara për të fshehur sasi të mëdha droge.

Koka e këtij grupi kriminal ishin dy vëllezër shqiptarë me banim në Porto Sant’Elpidio, rajoni Marche, bashkëpunëtorë të afërt të tyre ishin po shqiptarë që banonin në Montemarciano (Ancona) e që ishin ortakë me trafikantë italianë.

Të ardhurat nga trafiku i drogës fshiheshin pas një sipërmarrjeje anonime tregtimi autoveturash.

Gjatë hetimeve janë arrestuar 8 korrierë droge e janë kapur 50 kg kokainë si dhe janë sekuestruar 5 automjetet të modifikuara.

Hetimet kanë dokumentuar një trafik droge me mbi 700 kg kokainë e hashash me një vlerë prej 35 milionë euro.