Autoritet britanike kanë arrestuar 10 persona, pas një operacioni kundër lëndëve narkotike. BBC shkruan se oficerët kanë bastisur 11 shtëpi në Gloucester dhe Cheltenham, si dhe 4 lavazhe përgjatë dy ditëve të fundit.
Operacionet e zhvilluara të mërkurën dhe të enjten ishin pjesë e operacionit Cleveland, që nisi pas të dhënave që autoritetet britanike morën për banda të krimit të organizuar që operonin në vend.
Policia e Gloucestershire ka thënë:
"Kemi zbuluar 6 prona, të cilat ishin kthyer në fabrika kanabis dhe në to kemi gjetur anëtarë të bandave shqiptare. Një prej fabrikave të kanabisit ndodhej fare pranë një shkolle fillore në Gloucester. Anëtarët e këtyre bandave nuk kanë asnjëlloj mëshire për sigurinë dhe mirëqenien e atyre që jetojnë në komunitetet ku ata operojnë."
Të gjithë të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, po mbahen nën akuzën e mashtrimit, shpërndarjes së drogave të klasit B dhe prodhimit e përpunimi të drogave të klasit B. Në këto shtëpi është gjetur edhe një 17-vjeçare duke punuar në kushte të papërshtatshme.





