Moska është zotuar se Ukraina “nuk do të mbetet e pandëshkuar” pasi sulmet me dronë goditën objektivat në Rusi.

Sipas mediave të huaja, dronët goditën disa rajone ruse dhe dëmtuan dy aeroplanë ushtarakë, një depo karburanti dhe një fabrikë mikroelektronike.

Kievi nuk ka thënë se ka qenë i përfshirë në sulmet e fundit, por rrallë komenton sulmet brenda Rusisë.

Megjithatë, në javët e fundit, Ukraina besohet se ka rritur përdorimin e dronëve shpërthyes për të sulmuar objektivat në Rusi.

E gjithë kjo është pjesë e strategjisë së saj kundërsulmuese – duke e bërë sa më të vështirë për Rusinë që të mbajë trupat e saj të vijës së parë të furnizuara, ndërsa ajo vazhdon me pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në një aeroport rajonal në Pskov, një qytet perëndimor që shtrihet rreth 600 kilometra (372 milje) nga Ukraina, dy aeroplanë ushtarakë u goditën dhe shpërthyen në flakë sipas agjencive ruse të lajmeve.

Guvernatori i rajonit, Mikhail Vedernikov, tha se ishte në vendin e ngjarjes dhe tregoi se atje shihej një zjarr i madh, ndërsa dëgjohej një shpërthim.

Aeroplanët e dëmtuar – Ilyushin 76 – janë aeroplanë mallrash me rreze të gjatë, që janë idealë për transportimin e trupave dhe pajisjeve në distanca të gjata.

Aeroporti Pskov, i cili u mbyll për disa fluturime civile të zgjedhura të mërkurën, shërben gjithashtu si një qendër e rëndësishme ushtarake.

Ato janë asete të vlefshme lufte për Rusinë, dhe kjo i bën ata objektiva për Ukrainën.

Ndërkohë thuhet se pati më shumë sulme më në jug, me ushtrinë ruse që tha se rrëzoi dronët ukrainas në rajonet Bryansk, Kaluga, Oryol dhe Ryazan, plus një pranë qytetit të Krimesë, Sevastopol.