Mjaft qytetarë të cilët dynden çdo ditë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës, kanë shprehur ankesat e tyre në lidhje me marrjen e shërbimit në afatin e duhur, apo edhe për çështje të tjera që kanë lidhje drejtpërdrejtë me punonjësit e këtij institucioni.

Si të mos mjaftonte kjo, edhe tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi mjaft dëme në godinën e kontrollit fizik të mjeteve, duke bërë që në rrezik të ishin si inxhinierët ashtu edhe drejtuesit e makinave që targojnë mjetet e kryejnë proceduarat e tyre.

Në kohë rekord për të mos bllokuar punën është bërë ndërhyrja në kolonat kryesore, të cilat kishin pësuar çarje. Puna ka rinisur dhe kontrolli fizik i mjeteve po kryhet në godinë. Drejtori Kreshnik Ternova pranon se sistemi nuk është perfekt dhe qytetarët mund të kenë ankesa.

“Nëse nuk marrin shërbimin që duan qytetarët të paraqiten te shefat përgjegjës, e nëse nuk e gjejnë zgjidhjen të ankohen te drejtori për çdo problem që kanë. Radhët do të jenë, sepse kështu funksionon në çdo vend. Të respektojnë radhën në sportele,” thotë ai.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor tha se prej vitit 2017 është prishur edhe pajisja e Tahografit, dhe kjo pajisje që më së shumti shërben për kontrollin e mjeteve të rënda, siç janë kamionët, është në proces tenderimi për pjesën që ka pësuar difekt dhe nuk funksionon.

Drejtori Tërnova është një prej drejtuesve të cilët kanë ardhur të emëruar në poste drejtuese në Durrës të importuar nga qytete të tjera. Emërimi i tij në Durrës së bashku me drejtues të tjerë institucionesh siç është Autoriteti Portual i Durrësit, AKU, etj., solli edhe reagimin e durrsakëve karshi përzgjedhjes që bënë strukturat drejtuese të PS në Tiranë për këto emërime.

Tërnova tha se ka ardhur në Durrës si një prej drejtuesve më të suksesshëm në qytetin e Fierit, ku drejtoi disa institucione dhe u evidentua për cilësitë e tij drejtuese e menaxhuese.

K.H.