Ylli i famshëm i muzikës pop, Dua Lipa ka shprehur shqetësimin e saj për mënyrën se si mediat dhe opinioni publik po trajtojnë çështjen e Jeffrey Epstein, duke theksuar se vëmendja shpesh largohet nga viktimat.
Gjatë një episodi të fundit të podkastit të saj, këngëtarja tha se gjuha e përdorur në raportime “u ka bërë një shërbim të keq” viktimave, shumë prej të cilave ishin të mitur.
Ajo kritikoi theksin që i jepet shpesh elementeve sensacionaliste, si përshkrimet e “festave seksuale” apo përfshirja e figurave të njohura, duke theksuar se kjo qasje errëson faktin se bëhet fjalë për abuzim dhe trafikim të fëmijëve.
Sipas Lipës, kjo mënyrë raportimi zvogëlon seriozitetin e krimeve.
Komentet e saj vijnë në një kohë kur diskutimi publik për dosjet e Epstein është përqendruar kryesisht te emrat e famshëm të lidhur me të dhe bashkëpunëtoren e tij, Maxwell.
Lipa, ka folur më parë edhe për krizën humanitare në Gaza dhe ka mbështetur publikisht kauza të ndryshme ndërkombëtare.
Me këtë reagim, ajo bën thirrje për një qasje më të ndjeshme dhe më të përgjegjshme në raportimin e rasteve të tilla, duke vendosur në qendër viktimat dhe drejtësinë për to.





