Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa nuk ka hezituar të mbështesë publikisht demokratin Joe Biden, i cili po kandidon për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Së fundmi, në një video të realizuar për komunitetin e shqiptarëve në SHBA që po rreshtohen kah Biden, Dua Lipa thotë se kandidati demokrat qëndroi krah Kosovës kur u ballafaqua me një katastrofë njerëzore.

“Përshëndetje të gjithëve, është Dua Lipa këtu. Vota juaj nuk ka qenë kurrë kaq e plotfuqishme. Joe Biden qëndroi me neve kur Kosova u ballafaqua me një katastrofë njerëzore. Dhe ai dhe Kamala Harris besuan në demokraci dhe institucionet ndërkombëtare. Për ju që po votoni për herë të parë, jam kaq krenare, bëjeni një ditë që mbahet mend, sillni familjarët tuaj dhe bëjeni një ditë për t’u festuar. Bëhuni ndryshimi që na duhet”, tha këngëtarja.