Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me rrëmbimin e nënës së dy fëmijëve Aureta Caulit në Durrës.

Vëllai i saj, Ilirjan Cauli thotë për “DurrësLajm” se me motrën kanë humbur kontaktet ditën e hënë kur është nisur për në Pogradec, pasi kishte gjyqin e divorcit me bashkëshortin.

Më pas, i vëllai pohon se ditën e enjte e motra i dërgon në aplikacionin “Whatsapp”, dy foto ku ajo shfaqej duke marrë serum e shtrirë në një krevat spitali. Ai menjëherë ka shkur në stacionin e policisë në lagjen nr.13 për të dërguar fotot me shpresën se do gjenin vendodhjen e motrës, por aty sipas tij, punonjësit kanë shfaqur një neglizhencë totale.

Ndërkohë, ai pohon se e motra kishte marrë më vonë kushërirën në telefon dhe i kishte treguar se 4 persona e kishin rrëmbyer, ndërsa kishte kërkuar që të shihte për herë të fundit fëmijët e saj, por telefonata kishte zgjatur vetëm pak sekonda dhe më pas celulari dilte i fikur.

“Nga dita e hënë kemi humbur kontaktet me motrën. Ishte nisur për në Pogradec se kishte procesin e divorcit, kështu na tha.

Që atë ditë nuk kemi pasur më kontakte me të. Ditën e mërkurë kam bërë denoncim në Stacionin e Policisë në zonën e Plazhit për humbjen e motrës. Ditën e enjte motra më dërgon 2 foto në whatsapp, që ishte në spital duke marrë serum vetë dhe pastaj i fiket telefoni. Vete në polici për të çuar ato foto që mund ta zbulonin ça spitali ishte, por përgjigja e punonjësve të policisë më la për të dëshiruar.

S’kemi ç’e duam foton, do pyesim spitalet me këtë emër dhe të themi, kur nëpër urgjenca s’të kërkojnë ndonjë mjet identifikimi për të marrë serum dhe ata mund ta kenë regjistruar me emër tjetër. Sot nga ora 10 kishte marrë një kushërirë në telefon, i kishte thënë që më kanë marrë 4 veta dhe vetëm të shoh pak fëmijët për herë të fundit, se s’jam mirë. Vete përsëri në komisariat tani dhe asnjë lajm prej tyre, kur shumë mirë ata mund ta gjejnë nga tabulatet telefonike nga merr në telefon”, deklaron i vëllai.