Në 47-vjetorin e lindjes, kryeministri Edi Rama uroi drejtorin sportiv të Lacios Igli Taren. Në një mesazh të gjatë të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Rama, i njohur si tifoz i Juventusit, lavdëron ish-sulmuesin e Shqipërisë për karrierën si futbollist dhe drejtues sportiv, ndërsa shprehu dëshirën që një ditë Tare të jetë në krye të Juventusit.
Por, kryeministri shprehu frikën se Tare mund të bëhet zyrtar te Milani, pasi klubi legjendar italian i ofroi post në të kaluarën.Vetë Tare, ka pranuar se admiron që në fëmijëri Milanin.
Mesazhi i Edi Ramës për Igli Taren:
IGLI TARE është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më parë silueta e tij, kur ne të Dinamos dilnim për vrap në ish-fushën e Aviacionit, ku bashkë me të vëllain Auronin, dy kalamajtë kolosë e “kokëlakër”, i nështroheshin stërvitjeve të pamëshirshme të të atit, mjeshtrit të sportit e dikur kolosit kampion të hedhjes së diskut, Isa Tare, i cili u kishte imponuar djemve një regjim stërvitjesh që do ta kishin zili edhe marinsat amerikanë. Auroni arriti në skuadrën e parë të të kuqve të pathyeshëm që nën udhëheqjen Gaz Çaçit, vendosën diktaturën në parketin e basketbollit shqiptar për vite me radhë, ndërsa Igli pasi veshi fanellën e shpresave kuqezi, mori arratinë drejt Bundesligës, ku arriti të bënte emrin e tij, për t’u zhvendosur më pas në Serie A tek skuadra e Lazios.
Presidentit Lotito i ra bixha me kolosin shqiptar, që jashtë fushës së blertë spikaste me stofën e liderit dhe i besoi as më shumë e as më pak, po çelësin e zyrës së drejtorit teknik të armiqve të Romës. Nën drejtimin e Igli Tares Lazio u kthye në një armatë mbresëlënëse, e cila ka një bilanc të pabesueshëm mes shpenzimeve shumë më të ulëta se sa klubet elitare të Serisë A dhe vendit që ka zënë në klubin e të mëdhenjve të futbollit italian.Sot Igli është aseti më i kushtueshëm i Lazios dhe në ditën e tij të lindjes, i uroj të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, duke uruar njëkohësisht që një ditë ta shoh në krye të Juventusit (jo të Milanit siç kam frikë se do ndodhë:-)





