Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, ka folur mbi situatën e shkaktuar pas sulmeve ruse në Ukrainë.

Skapi tha se në Ukrianë ndodheshin 67 shqiptarë në total dhe vetëm 4 prej tyre kishin kërkuar ndihmë.

Ndërsa shtoi se vendi duhet të merrte masa për çdo lloj situate të mundshme në rast të një agresioni, sepse mund të kishte vende të rajonit që mund të përfitonin nga kjo situatë.

Skapi: Në total janë 67 shqiptarë në Ukrainë dhe vetëm 4 prej tyre kanë kërkuar asistencë. Sa i përket këtij konflikti që ka nisur, ka vende të rajonit që mund të përfitojnë nga kjo situatë e shkaktuar.

Ne jemi së bashku me dy vende të Ballkanit Perëndimor, Malin e zI dhe Maqedoninë e Veriut, jemi pjesë e NATO-s. Kjo bën që ne të kemi mbështetje të plotë nga oganizata më e fuqishme në rast agresioni. Por kjo nuk duhet të na bëjë që të flejmë mbi dafina.

Besoj mund të jeni në dijeni që do të mblidhet edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare madje edhe parlamenti e ka pasur në agjendë edhe sot. Po merren masat në varësi të situatës, jo në tejkalim të kësaj situate. Po e ndjekim herë pas here sepse na duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë. Jemi të linjëzuar me BE-në dhe situata është tërësisht në kontroll.

Pyetje: Çfarë pritet për situatën?

Skapi: Faktikisht është e vështirë të bëhet një lloj parashikimi sesi mund të ndodhin ngjarjet sepse deri orët e para të mëngjesit të sotëm të gjithë shpresonin për një zgjidhje diplomatike. Përshkallëzimi i konfliktit nëpërmjet sulmeve të armatosura dhe bombardimit nga forcat ruse e vështirësojnë prognozën se çfarë mund të ndodhë në vijim.

Dihet se ka një vendim të komunitetit ndërkombëtar për t’ju përgjigjur agresionit. NATO është gati për të marrë çdo lloj hapi në bazë të artikullit 5 të konventës. Ndërsa vendet e tjera po marrin masa të ashpra ekonomike apo juridike ndaj Rusisë.