Vlera e shpronësimeve të miratuara në Këshillin Bashkiak për familjet që preken nga projekti TID Durrës ka shqetësuar së tepërmi qytetarët pronat e të cilëve do të merren nga shteti dhe do të shemben.

Një ndër ta është shtetasi Eduard Bërdaku shtëpia e të cilit, por edhe ajo e vëllait të tij, preket nga zgjerimi i amfiteatrit.

Ai e kundërshton çmimin rreth 80 mijë lekë të reja për metër katror në këtë zonë, të cilin Agjencia Shtetërore e Kadastrës ia ka referuar bashkisë aktualisht, pasi dy vite më parë, me VKM-në e qeverisë Rama godina ngjitur me familjen Bërdaku u shpronësua me çmimin mbi 99 mijë lekë.

Me të njëjtën vlerë u shpronësuan banesat e tjera rreth e qark amfiteatrit.

Kush #shtë arsyeja që me një të rënë të lapsit këta ulin 200 mijë lekë (të vjetra) në shpronësimin e banesave tona. Jemi në Spitallë këtu?! Unë jam në mes të Durrësit këtu. Duan të na marrin pronën, të na zhvendosin nga këtu dhe mos na dëmshpërblejnë!”,- thotë Eduard Bërdaku për “DurrësLajm”.

Çmimet e larta të shitblerjes së pasurive të paluajtshme apartamente apo banesë në këtë zonë pranohen edhe nga këshilltari bashkiak dhe njëkohësisht agjenti imobiliar Florian Tahiri.

Ai thekson se qendra historike e qytetit është ndër zonat më të shtrenjta në Durrës dhe çmimet arrijnë deri në 1500 euro m2. Madje në 2 vitet e fundit, çmimet në tregun imobiliar kanë regjistruar vetëm rritje e jo rënie.

“Mjafton të futeni tek faqet e agjencive imobiliare të qytetit të Durrësit për të kuptuar që çmimi de facto në këtë zonë varion nga 1100 deri në 1500 euro m2. Dihet që çmimi në këtë zonë nuk është 700-800 euro, sepse as në zonën e stadiumit nuk ka çmime të tilla. Shpronësimi i para dy viteve është deri diku shum# i pranueshëm nga ana e qytetarëve, kur çmimi ishte rreth 1.000.000 lekë. Çmimi aktual i shpronësimeve ka pasur rënie, ndërkohë që çmimet në 2 vitet e fundit në tregun imobiliar në Durrës kanë pasur rritje.”,- thotë Tahiri.

Dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi vlerën e shpronësimeve për 103 pasuri të paluajtshme në qendrën historike të qytetit, prona të shumë familjeve autoktone durrsake. Por në listë figurojnë dhe prona pa pronar të vërtetuar, një nga të cilat është dhe familja Bërdaku.

“Ju vë dokumentat në dispozicion, që jo vetëm jam pronar i ligjshëm i kësaj pasurie 2364 të pronës 71, por me dokumenta të dala nga arkivat e shtetit tonë dhe me leje zhvillimi dy herë, në vitin 1973 dhe 1991 që na e kanë dhënë po këta. Kredia i është marrë shtetit në ato vite në bazë të projekteve, që vertetohet edhe nga Banka e Shtetit, që kemi shlyer kredinë. Si del kjo shtëpi këtu me termin pronar i pa vërtetuar ose pa info. Kam që në vitin 1942 që paguaj taksa këtu”.

Eduardi dhe familjarët e tij nuk shprehen kundër projektit që pritet të realizohet në këtë zonë, me qëllim ruajtjen dhe rijetëzimin e parkut arkeologjik të Durrësit, por janë të vendosur të kërkojnë deri në fund shpronësimin e drejtë të pronave të tyre.

“Bashkia Durrës më kërkon mua hesap, pse bohesh ti pengesë? Për çfarë bëhem unë pengesë? Unë nuk bëhem pengesë, unë dua vlerën e shtëpisë sime. Nuk jemi kundër zhvillimit ose kundër projektit. Jemi kundër termave pronar i pa vërtetuar, kundër shpërblimit të padrejtë dhe kundër selektimit”.

“DurrësLajm” mëson se disa nga pronarët e shpronësuar në raste të ngjashme i janë drejtuar Gjykatës Administrative dhe gjyqësori ka vendosur në favor të palës paditëse, pra qytetarëve.

M.B.