Zëvendëspresidenti i Interit, Havier Zaneti foli për “Sky Sport” pas shortit të fazës së 1/8-ave ku zikaltërit do të përballen me Fejenordin.

A mund të konsiderohet Interi si favorit?

“Rrugëtimi ynë në Champions ka qenë i shkëlqyer deri më tani, por tani fillon një kompeticion tjetër. Fejenord është një skuadër për t’u respektuar, e kemi parë se çfarë ka bërë. Do të përgatitemi për dy ndeshjet sa më mirë, kemi të gjitha kushtet për të ecur përpara, por me kujdes”.

Keni ndjerë një përgjegjësi shtesë për të qenë i vetmi ekip italian i mbetur në garë?

“Ne gjithmonë kemi një përgjegjësi të madhe, ne jemi Interi dhe ky është një kompeticion i rëndësishëm. Ne do të përpiqemi ta mbajmë flamurin italian sa më lart që të jetë e mundur”.

Është ideja për të bërë një zgjedhje apo për të vazhduar në të gjitha garat?

“Ne nuk mund të bëjmë zgjedhje, duhet të synojmë të arrijmë në fund të të dyja kompeticioneve. Duam të fitojmë kampionatin dhe më pas është Liga e Kampioneve, jemi skuadra e fundit italiane që e kemi fituar dhe do të përpiqemi ta nderojmë në maksimum duke u përpjekur të shkojmë në finale si dy vjet më parë. Është e vështirë, por mendja dhe mendimi ynë është të arrijmë në fund të të dyja kompeticioneve”.

A u ngadalësua Interi kur Liga e Kampioneve u ndal në janar?

“Dyshimet janë vetëm nga jashtë, nga ana jonë brenda nuk ka pasur kurrë asnjë dyshim. E dimë se çfarë do të thotë të konkurrosh në Itali dhe në Europë, ne gjithmonë përpiqemi të përgatitemi për çdo ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pas mund të hasësh vështirësi në periudha të ndryshme por ne punojmë gjithmonë duke u përpjekur të japim më të mirën”.