Presidenti Ilir Meta dekretoi një ditë më parë datën e re të zgjedhjeve lokale, 13 tetorin. Por kryeministri Rama, menjëherë pas dekretit të Metës deklaroi sërish atë që ka theksuar me forcë përgjatë gjithë fushatës, që zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.
Dilema nëse duhet apo jo të dielën t’i drejtohen kutive të votimit mundon shumë durrsakë. Deklaratat e opozitës për bojkotimin e zgjedhjeve dhe mos lejimin e mbajtjes së procesit ditën e dielë janë shtuar shumë sidomos ditët e fundit, ndërsa janë paralajmëruar protesta në të gjithë vendin nga datat 27 qershor – 2 korrik.
DurrësLajm komunikoi me disa nga politikanët me të njohur të qytetit bregdetar, të cilët deklaruan qëndrimin e tyre pro apo kundër pjesëmarrjes në procesin zgjedhor të 30 qershorit. Ashtu si edhe pritej, politikanët e majtë ftojnë qytetarët durrsakë të marrin pjesë në votime në 30 qershor, për të vijuar me projektet e nisura tashmë në Durrës, ndërkohë që të djathtët i mëshojnë fort faktit se gara elektorale duhet të jetë një përballje alternativash, ndërsa procesi zgjedhor duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Përjashtim nga politikanët që bëjnë një apel të qartë për votuesit durrsakë bën vetëm deputetja më e re e Durrësit, Edlira Hyseni, e cila, megjithëse në një status në rrjete sociale të pak ditëve më parë pati deklaruar se nuk do të shkonte të votonte, për Durrëslajm thotë se në fund të fundit gjithsecili duhet të bëjë atë çfarë i thotë zemra në 30 qershor.
Prefekti Roland Nasto: Është e drejta e çdo qytetari si elementi bazë i demokracisë për të shprehur vullnetin e tij nëpërmjet votës. Ka një proces të rregullt zgjedhor, i udhëhequr nga një institucion zyrtar siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në qoftë se duam të kemi një vend demokratik me rregulla dhe parime demokratike është pikërisht dita ku njerëzit të shprehin me votë vullnetin e lirë të tyre më 30 Qershor.
Deputeti i PS-së Rolant Xhelilaj: Më 30 Qershor, qytetarët durrsakë me votë do të vlerësojnë arritjet në zhvillimin social-ekonomik të qytetit të tyre, tashmë edhe si bashki e shtrirë nga Ishmi në Rrashbull. Me pjesëmarrje të gjerë në këto zgjedhje do të bashkëpunojmë për vazhdimin e rrugës së nisur dekada më parë dhe thellimin e këtyre arritjeve në të mirën tonë të përbashkët.
Deputetja e PS-së Klodiana Spahiu: Jo vetëm durrsakët, por të gjithë shqiptarët duhet të dalin të votojnë për veten e tyre, për të zgjedhur njeriun që do t’i drejtojë ata për 4 vite. Vota më 30 qershor është edhe një votë për të vazhduar projekte e rëndësishme të nisura në Durrës. Data 30 qershor nuk mund dhe nuk duhet të jetë një datë që do të gjenerojë konflikte.
Ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi: (nuk iu përgjigj pyetjes së bërë nga Durrëslajm deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi)
Ish-deputetja e PD-së Fatbardha Kadiu: Për dekada me rradhë shqiptarët janë internuar e burgosur sepse nuk e donin sistemin e Enver Hoxhës dhe donin të dilnin jashtë Shqipërisë komuniste të asaj kohe. Sot, përsëri po i burgosin shqiptarët, sepse nuk duan shtet monopartiak të rilindasve, të kriminelëve. Dua t’i drejtohem të gjithë qytetarëve duke ju thënë se po luftojmë për një shtet ku ne si njerëz të lirë nuk i përkulemi kriminelëve, ne nuk duam një shtet me disa parti rilindase. 13 tetori është një opsion i mirë për Shqipërinë drejt integrimit evropian.
Deputetja Edlira Hyseni: Në pamundësi për të kuptuar ku qëndron e vërteta racionalisht, do të thoja që në fund secili të bëjë atë që i thotë zemra. Kam besuar përherë që ajo nuk të gabon…
Kreu i PAA Agron Duka: Arsyet për të mos legjitimuar një proces antidemokratik dhe antikushtetues si ai i të dielës janë të shumta. Megjithatë, durrsakët duhet të jenë të parët në refuzimin me neveri të kësaj farse sepse janë të parët që kuptuan, nga përgjimet e gazetës gjermane Bild, sesi përçudnohet vota e tyre dhe kush e qeveris realisht qytetin. Jam i bindur se rimëkëmbja e qytetit tonë dhe gjithë Shqipërisë, duhet të fillojë nga Durrësi. Të mbajmë larg qëndrimet partiake, pasi nuk është një garë midis alternativave qeverisëse, por midis së mirës dhe së keqes. Me bojkotimin e kësaj farse duhet të tregojmë se çka ne, por dhe gjithë bota, dëgjoi nëpërmjet përgjimeve nuk është Durrësi i vërtetë, por një pakicë që nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë në krye të qytetit.
Kryetari i PS Durrës Luan Zaza: Durrsakët duhet të marrin pjesë në votime më 30 Qershor për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese, instrumentin e votës së lirë dhe të ndershme, përmes së cilës të kontribuojnë për vazhdimin normal të qeverisjes së qytetit të tyre. Zgjedhjet janë legjitime, të lira dhe të ndershme, ndaj të shkojnë e të votojnë për t’i thënë po vazhdimit të projekteve për një infrastrukturë më të mirë e moderne, shërbime më shumë e më cilësore, zhvillimin e qytetit drejt një modeli të standarteve evropiane, ku aspirojmë të shkojmë si vend.
Kreu i PD Durrës Ferdinand Xhaferaj: Bazuar në Kushtetutë të drejtën për të caktuar datën e zgjedhjeve e ka presidenti i republikës. Presidenti Meta dekretoi dje datën e re të zgjedhjeve dhe ka deklaruar edhe më parë se zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të paligjshme dhe monopartiake.
M.B.





